Shkarkohet nga detyra zv/drejtori shqiptar në Zbulimin e Maqedonisë

Arsyeja e shkarkimit nga detyra e Muhamed Ismailit nga posti i zv/drejtorit të Agjencisë së Zbulimit nga ana e presidentit, Gjorge Ivanov, nuk është bërë për shkak të mossuksesit në punë ose ndonjë lëshimi, por për arsye politike.

Lajme

03/02/2015 21:49

Presidenti i Maqedeonisë, Gjorge Ivanov, nën kompetencë të të cilit është Agjencia e Zbulimit, ka shkarkuar zv/drejtorin shqiptar të këtij institucioni, Muhamed Ismaili, i cili këtë post e ka ushtruar që nga viti 2003. Në këtë institucion tash e tutje nuk do të ketë post të zv/drejtorit për shkak të sistematizimit të ri që ka paraparë presidenti e që ministrat shqiptarë e kanë lejuar të kalojë në qeveri ditë më parë. Siç mëson Alsat-M revolta te të punësuarit shqiptarë në Agjencinë e Zbulimit është e madhe dhe nuk e pranojnë vendimin për shkarkimin e Ismailit.

Vendimi i këtillë i Ivanovit shihet edhe si hakmarrje ndaj BDI-së për shkak të bojkotit të zgjedhjeve të fundit presidenciale  dhe habit fakti si të njëjtit kanë lejuar që sistematizimi i ri të kalojë në Qeveri. Si shkruan Alsat-M, arsyeja e shkarkimit nga detyra nuk është bërë për shkak të mossuksesit në punë ose ndonjë lëshimi, por si duket është bërë për arsye politike.

Nga zhvillimet tjera në Maqedoni duhet përmendur edhe skandali më i ri i përgjimit ndërmjet krerëve të dy partive më të mëdha politike.

Televizioni Sitel ka zbardhur një video incizim në të cilën shihen duke biseduar liderët e dy partive më të mëdha politike maqedonase, VMRO-DPNE dhe LSDM, përkatësiht  Nikolla Gruevski dhe  Zoran Zaev. Sipas TV Sitel, në këtë xhirim Zaev e shantazhon Gruevskin se posedon materiale nga shërbimet sekrete.

Pas publikimit të këtij materiali ka reaguar LSDM-ja opozitare duke e cilësuar materialin si skandaloz.

“Kjo paraqet edhe një vërtetim klasik  dhe argument kyç për atë se kush kë e përgjon në Republikën e Maqedonisë”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Nga LSDM-ja shtrojnë pyetjen se kush tjetër pos vetë Gruevskit mund të incizojë në kabinetin e tij?

Sipas LSDM-së, ky rast tregon se si funksionon Gruevski dhe vërteton gjithë atë që e thotë Zoran Zaev.

“Ja se si përcillet dhe incizohet lideri i opozitës. Ja se si përcillen dhe incizohen mijëra qytetarë në Republikën e Maqedonisë.  Video materiali i publikuar vërteton se Nikolla Gruevski i incizon ata të cilët vijnë në takime politike në kabinetin e tij”, thuhet në reagimin e LSDM-së.