Shkarkohet Moyes

David Moyes është shkarkuar përfundimisht. Drejtuesit e Manchester Unitedit kanë vendosur që ta përfundojnë bashkëpunimin me menaxherin skocez, duke ia besuar këtë post Ryan Giggsit deri në fund të sezonit.

Sport

22/04/2014 10:48

David Moyes nuk është më trajner i Manchester Unitedit. Menaxheri skocez është shkarkuar nga klubi anglez, pas rezultateve zhgënjyese të këtij sezoni.

Ish trajneri i Evertonit e ka falënderuar stafin në qendrën stërvitore Carrington, ndërsa lajmin ia ka konfirmuar Moyesit shefi ekzekutiv, Ed Woodward.

Klubi ndërkohë e ka falënderuar Moyesin për punën me nder.

Familja Glazer, pronare e klubit, e humbi durimin pas rezultateve zhgënjyese, ndërsa fatale ishte humbja nga Evertoni 2:0.

United gjendet në pozitën e shtatë në Premierligë, 13 pikë larg pozitës së katërt, e cila çon në Ligën e Kampionëve.

Përkohësisht, deri në fund të sezonit ekipin do ta drejtojë Ryan Giggs, i cili do të jetë në krye të ekipit që nga ndeshja e së shtunës kundër Norwichit.

Ndërkaq, holandezi Louis Van Gaal mund ta marrë në dorë ekipin nga Old Traffordi gjatë verës, pasi të kryejë punë me Holandën.