Shkarkimi i Prokurorit Publik, mundësi për reformim të Gjyqësorit

Njohësit e çështjeve juridike thonë se shkarkimi i Prokurorit Publik, Marko Zvërlevski, krijon kushte reale për zbardhjen e të tjera proceseve gjyqësore, për të cilat u shfaqën dyshime në opinion.

Lajme

20/08/2017 13:30

Besa Arifi, ligjëruese në Fakultetin Juridik në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, thotë se me rëndësi të veçantë është që me shkarkimin e Zvërlevskit, i cili ishte në krye të Prokurorisë Publike që nga 2013-ta, krijohen kushte për zbardhjen e shumë rasteve, për të cilat në opinion, veçanërisht pas publikimit të bisedave të përgjuara, u paraqitën dyshime se bëhet fjalë për raste të montuara.

“Mendoj se me një përpjekjeje më të madhe dhe duke respektuar kushtet ligjore, të cilat parashihen dhe me Ligjin që rregullon punën e Prokurorisë Publike, mund të gjendet një zgjedhje e mirë. Mendoj në krye të Prokurorisë Publike të zgjidhet një person energjik, i cili do të ketë vullnet të mirë për të zgjidhur të gjitha rastet, të cilat kanë lënë shumë hapësirë për të dyshuar në paanshmërinë e Gjyqësorit të Republikës së Maqedonisë, përfshirë këtu dhe punën e Prokurorisë Publike”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Arifi, ligjëruese e së Drejtës Penale.

Ajo thekson se prokurori i ri publik duhet të rikthejë në procedurë gjyqësore të gjitha rastet, për të cilat tashmë ka prova të reja siç është rasti i “Sopotit”, ai i “Monstrës” – raste këto ku shqiptarët janë dënuar me qindra vite burg për veprën terrorizëm.

“Veçanërisht, nëse ka prova të reja, të cilat dalin në pah edhe nga bisedat e përgjuara, ashtu siç dëgjuam gjatë publikimit të të ashtuquajturave bomba për rastin e ‘Sopotit’ dhe ashtu dhe siç qarkullojnë informatat nga më shumë burime se ka prova të reja për rastin ‘Monstra’, por edhe rastet e tjera, mendoj se me anë të atyre provave, mund të shërbejnë si bazë e mirë për përsëritjen e këtyre procedurave penale, përkatësisht proceseve gjyqësore dhe për një rishikim urgjent të këtyre rasteve, në ç’mënyrë ka ndodhur dhe cila është përgjegjësia e këtyre personave”.

“Mendoj se një gjë e tillë është shumë e rëndësishme që të bëhet, mendoj se me shumë rëndësi është që të gjitha këto procese gjyqësore edhe një herë të hapen para një trupi të pavarur dhe kompetent për t’i gjykuar ato raste”, thekson Arifi.

Ndërkaq, ish-prokurori Dane Iliev për Radion Evropa e Lirë konsideron se për t`u arritur një sistem gjyqësor i besueshëm për qytetarët, prokurori i ardhshëm publik, bashkë me ekipin e tij duhet të angazhohet për realizimin e reformave rrënjësore, duke u fokusuar reformat në funksionimin e Këshillit të prokurorëve publik të Maqedonisë dhe reformat në procesin e emërimit të prokurorëve publikë në vend.

Iliev thotë se pa ndryshime kadrovike të pjesës më të madhe të prokurorëve, sistemi gjyqësor do të mbetet edhe për shumë kohë i bllokuar.

“Prokurori publik, si individ i vetëm nuk do të mund të bëjë asgjë. Nuk duhet harruar se edhe përmes bisedave të përgjuara, mësuam se në Prokurori janë zgjedhur një grumbull prokurorësh, të cilët figuronin në ‘fletoren’ e atëhershme të ministres së Punëve të Brendshme si persona të besueshëm që punojnë në interes të VMRO DPMNE-së”.

“Pra, më duhet të theksoj se me rëndësi të veçantë është që fillimisht reformat të fokusohen në vendosjen e kritereve të qarta lidhur me emërimin e prokurorëve publikë në Maqedoni, avancimin e tyre si dhe gjatë shkarkimit eventual të tyre”, thekson Iliev, ish-prokuror.

Ai thotë se duhet të qartësohen kriteret, në bazë të së cilave do të kërkohet përgjegjësi nga Këshilli i prokurorëve për çdo veprim të Prokurorisë Publike veçanërisht kur bëhet fjalë për mosveprimin e Prokurorisë Publike në më shumë raste, kur bëhej fjalë për përfshirjen në vepra kriminale të strukturave të larta shtetërore.

“Është më se e nevojshme që në krye të institucionit Prokurori Publike, të vendoset një person, i cili do të ketë njohuri, por edhe forcë që këtë institucion ta bëjë të pavarur ashtu siç është përcaktuar me ligj si organ shumë i rëndësishëm për ndjekjen e krimit”, vlerëson Iliev.

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë ka bërë të ditur se në mbledhjen e saj të radhës, e cila pritet të mbahet gjatë së martës, do të kërkojë nga Kuvendi që të shpallë konkursin për prokuror të ri publik.

Prokurori i ardhshëm publik pritet të zgjidhet pasi të kenë përfunduar zgjedhjet lokale në Maqedoni, të cilat janë caktuar më 15 tetor të këtij viti.

Deputetët e Parlamentit të Maqedonisë me 64 vota për, e shkarkuan nga posti Prokurorin Publik, Marko Zvërlevski.

Zvërlevski ishte një nga protagonistët kryesor të aferës së përgjimeve, pasi në bisedat e publikuara nga opozita, në shumë raste është dëgjuar duke biseduar me zyrtarë të lartë të VMRO DPMNE-së në kurdisjen e proceseve gjyqësore apo në emërimin e njerëzve partiakë në pozita drejtuese në Gjyqësor.