Shkarkimi i Këshillit Drejtues të UP-së, i papritur për Rektorin

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, e ka vlerësuar të papritur vendimin e Ministrisë së Arsimit për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së.

Lajme

17/01/2018 13:33

Emërimi apo shkarkimi i anëtarëve të MASHT-it në Këshillin Drejtues të UP-së është detyrë ekskluzive e Ministrit. Për ne, vendimi ka qenë i papritur”, tha për KALLXO.com, rektori Dema.

I pari i UP-së, Marjan Dema për Kallxo.com tha se ka qenë i kënaqur me punën e anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së dhe nuk ka pasur vërejtje ndaj tyre.

“Në Këshillin Drejtues secili ka punuar në mënyrë konstruktive dhe së bashku kemi tejkaluar shumë probleme dhe sfida. Unë nuk kam asnjë vërejtje për punën e tyre, përkundrazi, kanë qenë shumë konstruktivë, të përpiktë dhe kanë dhënë shumë rezultate në punë”, deklaroi Dema.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi më 12 janar 2018 ka marrë vendim për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së të emëruar nga MASHT-i.

Katër anëtarët e shkarkuar Ismet Salihu, Alajdin Abazi, Sigurd Hollinger dhe Ahmet Latifi sipas vendimit të MASHT-it janë shkarkuar për shkak të “dështimit, refuzimit, shpërfilljen për të përmbushur detyrat e postit”.

Për arsyet e këtij shkarkimi, rektori i UP-së, Marjan Dema nuk deshi të flas me arsye se nuk është kompetent.

Ndërsa ish-kryetari i Këshillit Drejtues të UP-së, Ismet Salihu, i shkarkuar nga ministri për KALLXO.com pati thënë se ky vendim është i paarsyeshëm dhe sipas tij mund të konsiderohet politik.

Madje Salihu shprehu drojën se MASHT mund të dërgojë në Këshill njerëz nga politika.

“Unë uroj të mos çojë përpara njerëz të politikës që nuk kanë as background, as dije as autoritet…”, pati thënë Salihu për KALLXO.com.

Katër anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së ishin emëruar nga ish- ministri Arsim Bajrami më 12 shkurt 2016. Akoma pa u bërë dy vite të emërimit ata u shkarkuan nga ministri i ri, Shyqiri Bytyqi.