Shkaku i papunësisë, gjysma e të rinjve kosovare do t’ia mësynte mërgimit

Sipas UNDP-së, rreth gjysma e të anketuarve të moshës 18-36 vjeçe theksojnë se kanë në plan që të migrojnë në BE. Shkaku i migrimit thuhet se është papunësia.

Lajme

30/09/2014 19:08

Kriza ekonomike dhe papunësia e madhe ka ndikuar që qindra mijëra kosovarë të  emigrojnë në vendet e Bashkimit Evropian gjatë viteve ’90, ndërsa shumica prej tyre u vendosën në Zvicër dhe Gjermani. Këta emigrantë megjithatë kontribuuan për shumë vite në mirëqenien sociale në Kosovë.

Kështu u tha të martën në një raport të publikuar nga Programi i Kombeve të Zhvilluara për Zhvillim (UNDP) lidhur me Raportin e Zhvillimit Njerëzor në Kosovë 2014, të titulluar “Migrimi si forcë për zhvillim”.

Shefi i UNDP-së, Andreë Russell tha se mënyra e zhvillimit të institucioneve vendore ka ndikuar në politika jo të mira të punësimit në Kosovë.

Ndërsa, Marcus Baechler, drejtor i zyrës zvicerane për zhvillim, tha se remitancat përbëjnë një përqindje të madhe të zhvillimit të Kosovës.

“Një në katër persona aktualisht jeton jashtë vendit, shumica prej tyre në Zvicër, të cilët kanë ndikuar në masë të madhe në zhvillimin e Kosovës. Remitancat e tyre përbëjnë një përqindje të madhe të bruto prodhimit vendor të Kosovës dhe ato kanë ndikuar në përmirësimin e qasjes në arsim dhe përmirësimin e jetës në përgjithësi”.

Megjithatë, sipas Baechler, Kosova do të duhej ta fuqizonte këtë në zhvillimin ekonomik dhe të përmirësojë kushtet për investime dhe të jetë më tërheqëse për investime.

Sipas statistikave të publikuara nga ky raport, në regjistrimin e vitit 2011 në Kosovë thuhet se 380 mijë persona jetojnë jashtë vendit.

Sipas raportit të UNDP-së, nga viti 1989, përkeqësimi i klimës politike dhe rritja e papunësisë në mesin e shqiptarëve të Kosovës shkaktoi një eksod të madh, ku shumë emigrantë u zhvendosen në Zvicër dhe Gjermani.

Në vitet e fundit, rreth 36 mijë persona kanë hyrë në tregun e punës çdo vit, ndërsa rreth 10 mijë kanë dalë në pension. “Në të njëjtën kohë, rreth 13 mijë persona janë larguar nga Kosova për të punuar, studiuar ose thjesht për të jetuar jashtë vendit”, thotë raporti i UNDP-së.

Sipas të njëjtit raport, rreth gjysma e të anketuarve të moshës 18-36 vjeçe (dhe më shumë se një e treta e të gjithë të anketuarve) theksojnë se kanë në plan që të emigrojnë.

Sipas UNDP-së, dalja e emigrantëve ka rezultuar në një diasporë që ndërvepron me familjet në Kosovë në mënyra të ndryshme të cilat mund të nxisin zhvillim njerëzor.

Këto përfshijnë, mes tjerash, remitancat, shpenzimet e udhëtimit në Kosovë, si dhe investimet në pasuri të patundshme dhe në biznese.