Shkak i rrëzimit të avionit të presidentit maqedonas, gabim i pilotit

Pala maqedonase, pranoi rezultatet e raportit në përgjithësi por me një vërejtje të cilën kërkuan që të jetë pjesë e raportit.

Lajme

27/12/2014 16:57

Omer Kuliç, kreu i komisionit ndërkombëtar që e hetoi rastin, “Trajkovski”, sot në Shkup prezantoi raportin, të cilin siç thotë ai, tregoi se arsyeja kryesore për rrëzimin e avionit ishte gabim i pilotit, raporton Anadolu Agency. 

Raporti përfundimtar tregon se arsyeja e aksidentit ajror të 26 shkurtit 2004 në Mostar, ku humbi jetën president i i atëhershëm i Maqedonisë, Boris Trajkovski, ishte gabim, apo lëshim i pilotit. 

Në raport theksohen shtatë gabime ose lëshime të cilat shkaktuan aksidentin. 

Kuliç theksoi se gabimi fatal ishte se pilotët fluturonin avionin nën 2000 metra. Përveç kësaj, ata nuk kishin informacion mbi kushtet e motit në Mostar atë ditë, si dhe një plan për ulje në aeroportin e Mostarit.

Pala maqedonase, pranoi rezultatet e raportit në përgjithësi por me një vërejtje të cilën kërkuan që të jetë pjesë e raportit.

Vërejtja e tyre është arsyeja pse raporti nuk shpjegoi nëse atë ditë kur u rrëzua avioni, është dërguar apo jo sinjal nga aeroporti i Mostarit.

Ndërkohë, në përgatitjen e raportit të përmendur ishin angazhuar ekspertë me përvojë të cilët kanë mbajtur takime pune të rregullta në Shkup, Sarajevë, Mostar dhe Beograd.

Hetimi i plotë ka kushtuar rreth 160,000 euro, ndërsa disa nga pjesët e avionit janë ekzaminuar në Qendrën për Kërkime të Aksidenteve Ajrore në Gjermani.

Në aksidentin ajror në afërsi të Mostarit, në 2004 u vranë Presidenti maqedonas dhe tetë anëtarë të delegacionit dhe ekuipazhit të Maqedonisë.