Shikoni thonjtë dhe gjeni sëmundjen që keni

Një vështrim në thonjtë e gishtave të duarve mjafton dhe menjëherë mjeku e di se nga çfarë sëmundjesh vuan pacienti. Pak larg së vërtetës ...

Lajme

20/02/2018 09:15

 

Si metodë për diagnostikimin mjekësor, kontrolli i thonjve të gishtave përshtatet vetëm në kushte të caktuara. Mundësia për të konstatuar gjendjen e përgjithshme shëndetësore nëpërmjet ekzaminimit të thonjve është e kufizuar.

Pas formimit të tij, thoi nuk ndryshon më. Rritja e tij është një proces i gjatë. Një gjendje mungese në organizmin tonë është i dallueshëm ndoshta edhe atëherë kur ky deficit është prej kohësh i eliminuar. Për shembull, një sëmundje sistemike e rëndë me ethe mund të lexohet në vijat horizontale të thoit vetëm pas dy deri në tre muaj nga faza akute e sëmundjes.

Për vetë pacientët, ndryshimet e thoit janë shpesh një shenjë e parë dhe e dukshme alarmi, e cila në disa raste duhet të pasohet nga vizita tek mjeku.

Vija horizontale apo gropëza në thua

Të ashtuquajturat linja Beau-Reil në nder të mjekut francez Joseph Honore Simon Beau (1806-1865) që i ka interpretuar për herë të parë këto vija. Krijohen kryesisht atëherë kur rritja e thoit gjatë një sëmundje ngadalësohet, për shembull nga një infeksion me temperaturë të lartë prej kemioterapisë etj…

Thua si xhami i orës

Falanga distale (kocka e fundit të gishtave) e gishtave të duarve apo të këmbëve janë të fryra, thonjtë tepër të harkuar. Shkaku është shpesh një keqfurnizim kronik me oksigjen, për shembull nga sëmundjet e zemrës apo të mushkërive.

Ky furnizim i çrregullt me gjak bën të mundur intensifikimin e çlirimit të faktorëve të rritjes në enët e gjakut të gishtave dhe bën që të rritet një ind lidhor i ri.

Thonj si lugë

Pjesa e mesit të thoit është e futur brenda, ndërsa anët të dala jashtë. Thonjtë si lugë janë shpesh shenjë treguese për mungesë hekuri. Tek fëmijët ky lloj ndryshimi shfaqet edhe në thonjtë e këmbës.

Sindroma e thoit të verdhë

Thonjtë duken të trashë dhe me ngjyrë të verdhë. Rriten ngadalë, nuk kanë lidhje të fortë me shtratin e thoit dhe madje mund edhe të bien. Mungon lëkura e thoit.

Shpesh kjo sindromë haset tek pacientët me edema limfatike dhe infeksione kronike të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes.

Tonj me pika

Ato hasen shpesh tek pacientët me psoriazë, por edhe te ata me mungesë zinku. Pikat janë pasojë e pllakës së vogël psoriatike që shfaqet për kohë të shkurtër në thellësi të rrënjës së thoit.

Thonj të thyeshëm

Mund të dëshmojnë për gjendje kronike mungese vitaminash apo oligoelementesh, për shembull tek anoreksia, bulimia apo dieta përjashtuese në ndonjë sëmundje të caktuar.

Shpesh thonjtë e thyeshëm shkaktohen edhe nga përkujdesja e gabuar, si larja apo shpëlarja e shpeshtë e duarve.

Vija për së gjati

Janë të padëmshme. Gjenden praktikisht tek çdo. njeri mbi të 35-at dhe janë shenjë pjekurie. Shkaku i saktë nuk dihet ende, por mendohet se mund të jetë e trashëguar.