SHIK-u ua hedh fajin partive që injoruan rrezikun nga terrorizmi

Udhëheqësi i ish-Drejtorisë, Antiterrorizëm, e cila ka funksionuar në kuadër të SHIK-ut, Fadil Demaku, ka thënë për “Zërin” se ka punuar në kushte të vështira për ta luftuar terrorizmin. Politika kërkon hetim për punën e SHIK-ut në këtë drejtim.

Lajme

13/08/2014 10:11

Ish-zyrtarët e Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK) të cilët disa herë kanë deklaruar se një nga angazhimet kryesore të tyre ka qenë luftimi i shtrirjes së ekstremizmit dhe terrorizmit fetar në Kosovë nga paslufta e deri në vitin 2008, tash arsyhetohen se nuk kanë pasur kushte për të arritur rezultate në këtë fushë.

Madje, ata gjuajnë topin tek partitë politike në atë kohë, duke thënë se nuk kanë pasur interesim për t’u marrë me këtë problematikë.

Udhëheqësi i Drejtorisë Antitierrorizëm, e cila ka funskonuar në kuadër të SHIK-ut, Fadil Demaku, ka thënë për “Zërin” se ai ka punuar në kushte të vështira, meqë nuk ka pasur institucione.

“Në atë kohë kemi pasur vështirësi të mëdha, por miqtë tanë ndërkombëtarë na kanë ndihmuar, pasi e kanë kuptuar rrezikun për vendin”.

“Ndërsa, e them me keqardhje se partitë politike në atë kohë as që e kanë pasur idenë e rrezikut dhe nuk e kanë marrë përsipër përgjegjësinë ndaj këtij vendi, mbi atë se ky do të jetë rreziku i vendit tonë”, ka thënë Demaku.