Shfuqizimi i speciales, ndërkombëtarët paralajmërojnë sankiosnim për politikanët kosovarë

Ambasadat e shteteve të ndryshme të Bashkimit Evropian nuk e hedhin poshtë mundësinë t’i sanksionojnë politikanët kosovarë që do ta përkrahin shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Lajme

27/01/2018 09:01

Sipas tyre, as që mund të imagjinohet që një shkelje serioze e angazhimeve ndërkombëtare në vend të kalojë pa pasoja.

Ambasada e Francës në Prishtinë nuk e hedh poshtë mundësinë e sanksionimit të deputetëve kosovarë me mosdhënie të vizave nëse vazhdojnë ta përkrahin shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Sipas tyre, as që mund të paramendohet që një shkelje serioze e angazhimeve ndërkombëtare në Kosovë ta kalojë pa pasoja. “Sanksionet janë të mundshme nëse situata e kërkon atë. Por, ato mund të diskutohen dhe duhet të vendosen vetëm brenda kornizës evropiane. Nuk mund të paramendohet që një shkelje serioze e angazhimeve ndërkombëtare në Kosovë të kalojë pa pasoja. Ne mendojmë se arsyeja do të mbizotërojë, sepse është në interes të vendit”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Francës për gazetën “Zëri”.

Ndërsa zyrtarë të Ambasadës Amerikane në Prishtinë kanë deklaruar për gazetën “Zëri” se Gjykata Speciale do të ndihmojë për sjelljen e drejtësisë për shumë qytetarë të Kosovës, përderisa kanë kërkuar nga Kuvendi që ta miratojë sa më parë Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

“Gjykata Speciale do të ndihmojë në sjelljen e drejtësisë për shumë qytetarë të Kosovës të shumë etnive dhe është hap jetik për të ardhmen evropiane të Kosovës. Kundërshtojmë projektligjin i cili po diskutohet tani dhe i përsërisim thirrjet tona drejtuar udhëheqësve institucionalë, udhëheqësve partiakë dhe anëtarëve të Kuvendit të heqin dorë nga shfuqizimi apo amendamentimi i çfarëdo pjese të Ligjit për Gjykatën Speciale”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Amerikane.