Shfaqja me tekst të Teki Dervishit, fiton ‘Grand Prix’ në Bukuresht

Teatrit Kombëtar i është ndarë çmimi Grand Prix për shkak të fuqisë, aftësisë interpretuese, regjisoriale dhe skenike.

ShowBiz

24/10/2016 13:48

Shfaqja “Eshtrat që vijnë vonë”, me tekst të Teki Dervishit e regji të Martin Koçovskit, e cila u dha premierë në muajin maj në Teatrin Kombëtar të Kosovës, u kurorëzua me çmimin shfaqja më e mirë Grand Prix, në kategorinë Neta, në Bukuresht.

Pikërisht ky çmim ishte shkas edhe i konferencës për medie të mbajtur sot nga udhëheqësit e këtij institucioni, duke treguar kështu të arriturat e Teatrit Kombëtar të Kosovës, përgjatë këtyre muajve.

Fillimisht fjalën e mori drejtori i përgjithshëm, Agim Sopi, i cili tha se do të bëjnë një rezyme të shkurtër të punës pesë-gjashtë mujore.

“Intencat tona kanë qenë që fillimisht Teatrit Kombëtar të Kosovës të ia kthejmë seriozitetin dhe profesionalizmin që t’i inskenojmë tekstet që i kanë hije dhe i rrinë mirë TKK, e dyta që të profilizojmë trupën tonë që tashmë veç e kemi dhe e treta që teatrin ta hapim në gjithë botën që të japim dhe të marrim nga vlerat kulturore të Evropës dhe më gjerë. Në kuadër të intencave tona ne kemi realizuar tashmë disa projekte që mund t’i quajmë që kanë kthyer seriozitetin e teatrit”, tha Sopi.

Drejtori artistik, Agon Myftari, tregoi për pritjen që u është bërë në festivalin FEST(IN), festival ky i cili këtë vit ka mbajtur edicionin e katërt në Bukuresht.

“Arsyetimi ishte për fuqinë, aftësinë interpretuese, regjisoriale dhe skenike. Mund të them që ka qenë e jashtëzakonshme dhe reagimet e publikut kanë qenë shumë të mira, dhe ka qenë një pritje jashtëzakonisht e mirë”, pohoi Myftari.

“Eshtrat që vijnë vonë”, në kastën e aktorëve ka Astrit Kabashi, Bajrush Mjaku, Shkelzen Veseli, Adrian Morina, Lumnie Sopi, Arta Selimi, Albulena Kryeziu-Bokshi, Armend Baloku dhe Bujar Ahmeti, shkruan kultplus.

“Ngrihen pyetje për identitetin. Kjo është shumë interesante sidomos për kosovarët. Shfaqja jonë shkon një hap më tej. Bëhen pyetjet për gjenezën e popullit shqiptar në këtë kontinent e më gjerë. Ka shumë pyetje dhe në mes tyre janë religjioni, territori e gjërat që ndodhin. Nuk jepen përgjigje. Por besoj se secili do të ketë përgjigje individuale”, ka qenë deklarata e regjisorit Koçovski.