Shfaqet Putini, urdhëron marinën për gatishmëri të plotë luftarake në Arktik

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është shfaqur në publik për herë të parë që prej 5 marsit, duke shuar kështu spekulimet e shumta të mediave vendore e ndërkombëtare lidhur me shëndetin e tij.

Bota

16/03/2015 13:33

Presidenti rus pas takimit me presidentin e Kirgistanit, Almazbek Atambayeku, në Shën Petersburg, komentoi edhe spekulimet e mediave, disa prej të cilave, duke u thirrur në burime anonime, shkruan për mundësinë që ai të ketë vdekur.

“Gjërat do të ishin shumë të mërzitshme sikur të mos kishte edhe thashetheme”, ka thënë me buzagaz Putin, raporton Reuters, transmeton lajmi.net.

Pak minuta përpara këtij takimi, presidenti i Rusisë urdhëroi marinën ruse dhe trupat parashutiste për tu ngritur në një gjendje të gatishmërisë së plotë luftarake në Arktik, si pjesë e stërvitjeve detare që përfshijnë 56 anije, avionësh dhe 38 000 trupa dhe personel tjetër ushtarak.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, i cili është duke mbikëqyrur modernizim të shtrenjtë të forcave të armatosura, ka thënë se Rusia po përballet me kërcënime të reja ndaj është e detyruar për të rritur forcën dhe aftësitë e ushtarake për të ruajtur sigurinë e saj.

“Sfidat dhe kërcënimet ndaj sigurisë sonë kërkojnë që forcat e armatosura të rrisin edhe më tej aftësinë e tyre ushtarake. Vëmendje e veçantë i duhet kushtuar formacioneve strategjike në veri, Arktik”, ka thënë Shoigu.

Kriza në Ukrainë e ka çuar tensionin në mes të Rusisë dhe Perëndimit në nivelin më të keq që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Javën e kaluar disa shtete anëtare të NATO-s, të kryesuara nga Shtetet e Bashkuara përfunduan stërvitjet ushtarake në Detin e Zi, jo larg ishullit të Krimesë, të aneksuar në mars të vitit 2014 nga Rusia, gjë që nxiti konfliktin edhe në rajone tjera të përziera në Ukrainë.

Perëndimi dhe Kievi zyrtar akuzojnë Rusinë se ka furnizuar me armë dhe mbështetur me ushtarë separatistët pro-rusë në Ukrainë lindore, të cilat muajin e kaluar arritën një marrëveshje armëpushimi pas nj vit luftimesh me trupat qeveritare ukrainase, dhe ku u vranë më shumë se gjashtë mijë njerëz.

Moska zyrtare kohën e fundit ka rritur ambiciet e saj për eksplantimin e naftës dhe gazit natyror në rajonin e pasur të Arktikut, aty ku Rusia kufizohet me njërin prej shteteve anëtare të NATO-s, Norvegjinë. /lajmi.net/