Shfaqet Menduh Thaçi, shqiptarët po bëhen “mish për top” i partive maqedonase

Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, ka bërë paraqitjen e tij të parë pas konfliktit të armatosur në Kumanovë, ku sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet maqedonase, mbetën të vrarë 22 persona.

Lajme

12/05/2015 19:00

Në një konferencë për shtyp që sot u mbajt në selinë e kësaj partie në Tetovë, Thaçi vlerësoi se situata në Maqedoni është shumë serioze.

Ndërsa, kërkoi nga bashkëkombësit e tij të bien pre e disa shqiptarëve të, siç i ka quajtur ai të ndershëm, që punojnë për gjithkënd e assesi jo për shqiptarët.

“Një apel që iu drejtoj gjithë shqiptarëve të Maqedonisë, situata është shumë serioze dhe në asnjë mënyrë mos të bëhen pre e disa shqipfolësve, apo shqiptarëve të ‘ndershëm’ që punojnë për gjithkënd e assesi nuk punojnë për shqiptaret. Qëllimi i tyre është që shqiptarët t’i bëjnë mish për top në betejën mes partive maqedonase, ne nuk kemi asgjë të përbashkët si shqiptar me agjendën e partive maqedonase. Këta shqipfolës shkuan aq larg që me fjalët më të ulta i fyen dhe i ofenduan udhëheqësit shtetërorë të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe unë distancohem me forcë nga këto ofendime dhe u apeloj të gjithëve që ne t’i rikthehemi agjendës tonë kombëtare si shqiptarë të Maqedonisë dhe në përgjithësi si shqiptarë. Agjenda jonë kombëtare është ta përshpejtojmë procesin integrues tonin dhe të Maqedonisë drejt BE-së dhe NATO-s dhe në mënyrë të pa ndërprerë të kërkojmë që të realizojmë të drejtat tona kolektive”, tha Thaçi.