Shëtitja elektorale

Thaçi bashkë me Kadri Veseli e Hajredin Kuçi kanë shëtitur këmbë në Mitrovicë. Kjo shëtitje, në fakt u ka shërbyer atyre, për të zhvilluar takime të rastit me qytetarë, nga të cilët kanë kërkuar votën për partinë dhe kandidatin e saj.

Lajme

16/10/2013 19:21

Hashim Thaçi nuk po i ndahet Mitrovicës, gjatë kësaj fushatës zgjedhore. Në këtë qytet brenda një jave ai qëndroi dy herë, për t’i dhënë mbështetje Kandidatit të PDK’së për Kryetar Komune, Avni Kastrati.

Ai bashkë me Zëvendëskryetarin Kadri Veseli dhe nënkryetarin Hajredin Kuçi kanë shëtitur rrugët e Mitrovicës. Kjo shëtitje, në fakt u ka shërbyer atyre për takim me qytetarë të rastit, nga të cilët kreu i PDK’së ka kërkuar votën për partinë dhe kandidatin e saj.

Thaçi deklaroi në Mitrovicë se fitorja e PDK’së do të jetë qysh në rundin e parë.

“Ishte jashtëzakonisht inkurajuese mbështetja e të gjithë atyre njerëzve që takova sot në Mitrovicë për rizgjedhjen e kryetarit Kastrati”.

“I uroj suksese dhe punë të mbarë këtij njeriu të mirë që i ka shërbyer të gjithë mitrovicasve, dhe jam i bindur se fitorja e PDK’së do të jetë që në rundin e parë”.

“Dëshiroj të falënderoj kryetarin Kastrati për punën e shkëlqyeshme në Mitrovicë gjatë qeverisjes së tij. Kjo punë vlerësohet sot nga gjithë qytetarët e komunës së Mitrovicës”.

Kandidati për Kryetar të Komunës, Avni Kastrati, u shpreh të jetë i lumtur për kontaktet e drejtpërdrejta të kryeministrit me qytetarët për t’u njohur për së afërmi me opinionet e tyre.

“I falënderoj qytetarët për bashkëpunim dhe ju garantoj se në të ardhmen do të zhvillojmë projekte edhe më të mëdha në interes të tyre dhe të Mitrovicës”.