Sheshi i Moskës “riparohet” pas protestave

Autoritetet në Moskë kanë vënë rrethoja përgjatë Sheshit Pushkin, dy ditë pasi mijëra njerëz protestuan aty kundër korrupsionit.

Bota

28/03/2017 16:55

Sot Sheshi Pushkin është bllokuar nga rrethoja të metalta.

Një njoftim i vendosur në rrethoja thoshte se sheshi është bllokuar për riparimin e monumentit të poetit rus, Aleksandr Pushkin, që gjendet në mes të sheshit.

Riparimet thuhet se do të kryhen në periudhën prill-shtator, pasi autoritetet e qytetit të Moskës, kishin nënshkruar një kontrat për një gjë të tillë më 13 maj të 2016-ës.

Mijëra njerëz u mblodhën në Sheshin Pushkin dhe në zonat përreth më 26 mars në protestën anti-qeveritare që kishte në fokus akuzat për korrupsion të zyrtarëve të lartë të shtetit.

Policia ruse arrestoi qindra persona, përfshirë Aleksei Navalny, aktivistin kundër korrupsionit, njëherësh lideri opozitar, i cili qëndron prapa protestave, që u organizuar në pothuajse 100 qytete në mbarë Rusinë.