Sheshelj: Kontribuova në vetëvrasjen e Babiqit (Video)

Lideri i radikalëve serb, Vojislav Sheshelj, vazhdon me deklaratat e tij të tmerrshme, pas lirimit të përkohshëm nga Haga, ku po gjykohej për krime të luftës në ish Jugosllavi. 

Lajme

30/11/2014 18:13

Gjatë një interviste televizive Sheshelj, ka thënë se ka kontribuar në vetëvrasjen e ish presidentit të Republikës Serbe të Krajinës (pjesë e banuar me serb në Kroaci), Milan Babiq derisa edhe ky i fundit përballej me akuzat për krime lufte në Tribunalin e Hagës.

Ai e ka pranuar se është munduar që t’ia bëj jetën sa më të vështirë Babiqit, transmeton Indeksonline.

“Milan Babiqin pas marrjes konstante në pyetje arritën ta frikësojnë. I kanë thënë nëse pranon të dëshmojë kundër Millosheviqit, nuk do të ngrisin padi kundër tij. Megjithatë, menjëherë pasi e përfundojë dëshminë kundër Millosheviqit, Haga ka ngritur padi kundër tij. Më pas i ofruan mundësinë që ai të pranojë fajësinë dhe pas kësaj do të dënohej me 11 vjet burg. E pranoj fajin dhe mori 13 vjet. Babiq më pas kërkoi që t’i dërgohet familja në një vend të sigurt, por më pas doli se familja e tij ishte mbajtur në burg shtëpiak”, ka thënë Shesheli.

I dënuari nga Tribunali i Hagës, Milan Babiq, ish presidenti dhe kryeministri i të ashtuquajturës Republika Serbe e Krajinës gjatë dëshmisë së tij kishte thënë se ky territori kroat i okupuar nga serbët merrte armë dhe financa nga Serbia. Ai e kishte konfirmuar që Slobodan Millosheviq kishte de fakto kontroll mbi këtë territor.

Babiq ka bërë vetëvrasje në mars të vitit 2006 gjatë mbajtje në burgun e Sheveningenit.