Sheshel thotë se ka në plan të blejë një shtëpi në qendër të Preshevës

Lideri i Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel, i cili është dënuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte, ka thënë se ka në plan për të blerë një shtëpi në qendër të Preshevës.

Lajme

17/10/2018 23:49

Duke folur për Kosovën, siç shkruajnë mediat serbe, ai ka thënë se Kosova duhet të qëndrojë në Serbi si tërësi.

“Kosova mbetet në Serbi, është autonomia që mund të ofrohet më së shumti. Katër komunat serbe as që vihen në dyshim. Ekziston një pronë homogjene serbe, përfshirë Gazivodën. Kopaoniku është i mbrojtur, Trepça nuk është e mbrojtur tërësisht… Manastiret serbe dhe kishat janë shumë të rëndësishme. Komuna e Shtërpcës duhet të mbrohet në të gjitha mënyrat. Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, nuk ka bisedime rreth tyre”, citohet të ketë thënë kreu i Radikalëve.

Ai madje ka thënë se ka në plan të blejë një shtëpi në qendër të Preshevës.

“Kam ndërmend të blej një shtëpi në qendër të Preshevës dhe nuk ka asnjë mënyrë që dikush të mund ta rrëzojë”, ka thënë ndër tjerash Sheshel.

Por kjo nuk është deklarata e parë e tillë e liderit radikal serb, kur bëhet fjalë për Kosovën.

Së fundmi ai kishte thënë gjithashtu se Serbia duhet të përgatitet që me luftë sërish ta marr Kosovën, pasi nga atje të tërhiqen forcat e NATO-s.

“Në mënyrë që ta çlirojmë Kosovën dhe Metohinë, ne duhet që me forca të fuqishme ushtarake dhe policore të ndjekim të gjithë shqiptarët që nuk e njohin shtetin serb. Këtë nuk mund ta bëjmë derisa NATO është atje. Ndërkohë, derisa presim që NATO shkojë dhe të vërsulemi atje, duhet që nën kontroll të fortë serb të mbajmë bile një pjesë të Kosovës”, kishte shkruar Sheshel, përmes një postimi në Twitter, rreth një muaj më parë. /Telegrafi/