Sheshel: Nëse unë jam kriminel lufte, të njëjtë janë edhe Nikoliq e Vuçiq

Lideri radikal serb, Vojislav Sheshel, i akuzuar për krime lufte në ish Jugosllavi, nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, thotë se nëse ai është përgjegjës për krimet e asaj kohe, me të njëjtën përgjegjësi do të duhej të ngarkoheshin edhe presidenti aktual serb, Tomislav Nikoliq dhe kryeministri Aleksandar Vuçiq, të dy këta të fundit, ish vartës të Sheshelit. 

Lajme

21/12/2014 20:35

Sheshel duke folur për një medium nga Bosnja, i pyetur nëse për krimet e luftës dhe përgjegjësinë e lidershipit të atëhershëm serb, ka thënë se nëse ai është kriminel, njejtë duhet të trajtohen edhe presidenti Nikoliq dhe kryeministri Vuçiq.

I liruari përkohësisht nga qendra e paraburgimit në Sheveningen, ka thënë se kryeministri aktual Vuçiq, në kohën e luftërave në Bosnje e Kroacia, ka dhënë deklarata edhe më ekstreme se sa ai.

Ndërsa, kur ka folur për masakrën e Srebrenicës, ai ka thënë se “ajo përbën komprometimin kryesor serb dhe se është me rëndësi të thuhet se Srebrenica është pika më e errët në anën serbe”.

“Unë nuk e kontestojë krimin në Srebrenicë, mirëpo them se nuk është gjenocid. Kanë qenë tri llogore në Prijedor ku janë vrarë njerëzit, janë maltretuar dhe plaçkitur. Në mesin e tyre ka pasur edhe civil. Unë nuk sfidoj krimet që janë kryer në Prijedor, unë nuk hedh poshtë krimin që është kryer në Srebrenicë, nuk dua të hedh poshtë asnjë krim”, ka thënë Sheshel. (lajmi.net)