Shërbyesit civil duan rritje të pagave, transport dhe shujta falas

Hajrullah Hoxha nga Federata e Sindikatës së Shërbyesve Civil thotë se kërkesat e tyre janë: rritja e pagave 30 për qind si dhe sigurimi i transportit dhe shujtave ushqimore falas. Sipas tij, kërkesat e shërbyesve civil janë minimaliste.

Lajme

03/03/2014 09:35

Kryetar i Federatës së Sindikatës së Shërbyesve Civil, Hajrullah Hoxha, thotë se kërkesat e shërbyesve civil janë që paga e tyre të rritet deri 30 për qind.

Kjo sindikatë, gjithashtu, kërkon që transporti dhe shujta ditore të sigurohet falas.

“Po, çështja e rrogave është çështje jetike për shërbyesit civil”.

“Komisioni që i përcjellë këto çështje në kuadër të sindikatës ka aprovuar një propozim që pagat e shërbyes civil të ketë rritje së paku prej 30 për qind dhe kjo rritje të përcillet me sigurimin e transportit dhe shujtës për shërbyesit civil”.

“Këto janë kërkesat tona dhe këto kërkesa kanë zënë fill që prej vitit 2011 edhe në një Memorandum që e kemi nënshkruar së bashku me Kryeministrin”.

“Ky memorandum nuk është zbatuar sa i përket çështjes së transportit dhe shujtës”.

“Kërkesa tona kanë qenë minimaliste”.

Në intervistën dhënë për Programin e Mëngjesit në RTK, Hajrullah Hoxha thotë se sot pagat mund të rriten prej 20 deri 25 për qind.

“Pritet që rritje të shkojë 20 deri 25 për qind, varësisht nga reagimet. Mendoj se do të jetë shifër e njëjtë për të gjitha organizatat buxhetore”.

“Unë mendoj se i vetmi element i cili do të neutralizonte këto kërkesa dhe do të avanconte mbrojtjen e standardit jetësor për shërbyesit civil është që ne të kemi zbatimin dhe respektin e ligjit për pagat për shërbyesit civil”.

“ Të them të drejtën ne kemi marr perceptimet tona nga baza jonë, nga shoqatat sindikale nëpër ministri, dhe në qoftë se nuk i bashkëngjitet kësaj rritje që do të del sot deri në 30 për qind ose edhe nën 30, transporti edhe shujta, do të jetë vendim i mangët për shërbyesit civil dhe disa çështje duhet të rishqyrtohen në Kryesi duhet të marrim vendim se pse kërkesat tona nuk janë realizuar”, ka thënë Hajrullah Hoxha për RTK.

Ndyrshe, sipas kësaj sindikate, shërbyesit civil e kanë të pamundur të mbyllin muajin dhe të mbulojnë shpenzimet elementare me pagat që marrin aktualisht.