Shërbimi intelegjent i Kosovës: Rasti te Manastiri i Deçanit s’ka lidhje me sulm terrorist

Drejtori i AKI-së Agron Selimaj, para Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjensionit Kosovar për Inteligjencë (AKI), ka raportuar për situatën e sigurisë në vend. E anëtarë të këtij komisioni, pas përfundimit të takimit, thanë se situata e sigurisë në vend, është nën kontroll.

Lajme

29/02/2016 13:37

Duda Balje, zëvendëskryetare e këtij komisioni, tha se kanë marrë informatat të bollshme nga shefi i AKI-së, sa i përket sigurisë në vend. Ndërsa tha se është biseduar dhe për ngjarjet e fundit të ndodhura në ditën kur është zgjedhur presidenti i vendit, duke pohuar se gjithçka është nën kontroll.

“Sipas informatave, sipas drejtorit gjendja e sigurisë në Kosovë në këto momente është nën kontroll. Nuk kemi tash për tash prej anës së dikujt diçka keq. Edhe numri i kosovarëve në luftën e Irakut zvogëlohet me kohën. Kemi pasur një takim me shumë informata….Vetëm për situatën politike tash se a përcjellën prej anës së AKI-së, çka ka ndodh dhe në ditën kur kemi zgjedh presidentin. Krejt është nën kontroll. AKI ka informata. AKI nuk ka shumë punë me politikë, por sa i përket informatave mes policisë dhe institucioneve, është në rregull”, theksoi Balje.

Edhe Rafet Rama, anëtar i këtij komisioni nga radhët e PDK-së , tha se temë diskutimi në këtë takim kanë qenë dhe rastet e sulmit në manastirin e Deçanit si dhe sulmet në Drenas dhe Fushë Kosovë, duke pohuar se asnjëra nga to, nuk ka lidhje me ndonjë sulm të mundshëm terrorist.

“Ne biseduam për ngjarjet e fundit, që kanë ndodhur në Deçan, në Drenas dhe Fushë Kosovë. Të gjitha këto informacione, që na informoi drejtori i Agjensionit nuk kanë qenë, sa i përket ndonjë akti terrorist. Rasti i Deçanit ka qenë një rast që kanë dalë në bjeshkë, janë parë dhe janë ndaluar nga policia. Ndërsa rasti në Drenas, mund të ketë qenë edhe zgjedhja përbrenda BIK-ut”, tha Rama.

Ndryshe Komisioni parlamentar për mbikëqyrjen e Agjensionit kosovar për inteligjencë (AKI), ka mbajtur takim, pa prezencën e anëtarëve nga partitë opozitare, të cilat tash e një kohë të gjatë po i bojkotojnë këto komisione. Edhe pse ky komision ditë më parë kishte dështuar ta mbajë takimin në mungesë të kuorumit, sot kishte kuorum të mjaftueshëm për të mbajtur takimin, në të cilin ka raportuar drejtori i AKI-së Agron Selimaj, i cili nuk preferoi të flas para mediave, pas përfundimit të takimit në fjalë.