Shënohet 6 vjetori i Kushtetutës

Me rastin e shënimit të 6-të vjetorit të miratimit të Kushtetutës, presidentja është zotuar se do të punojë për qëndrueshmërinë e shtetësisë, ndërsa kryeministri ka përmendur arritjet - themelet funksionale të shtetit demokratik në tërë territorin e Republikës

Lajme

09/04/2014 11:35

Presidentja Jahjaga gjatë fjalimit të saj me rastin e shënimit të 6-të vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka thënë se miratimi i Kushtetutës gjashtë vjet më parë ishte akt historik për Republikën e Kosovës.

“Kushtetuta garanton lirinë e secilit qytetarë sot dhe përmbledhë vlerat më sublime për të cilën u sakrifikuan gjenerata të tëra”, tha presidentja Jagjaga.

Ajo deklaroi se Republika e Kosovës është shtet ku kushtetutshmëria dhe ligjshmëria shtrihen në tërë territorin, duke përmendur “procesin e vështirë”, në konsolidimin e institucioneve në veri të vendit.

“Republika e Kosovës sot është më afër integrimeve evropiane për aq sa jemi të gatshëm për sundim të rendit dhe ligjit”, ka thënë presidentja, raporton KosovaPress.

\"kushtetuta

Ndërsa kryeministri Thaçi, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka arritur të vendos themelet funksionale të shtetit demokratik në tërë territorin e saj.

“Sot u mbushën gjashtë vite nga miratimi i Kushtetutës së Republikës, e cila është një nga kushtetutat më moderne, përparimtare, dhe akt që mbron vlerat demokratike. Gjashtë vite me herët, më 9 prill, Kuvendi miratoi Kushtetutën dhe kjo ditë me të drejtë shënohet si dita me e rëndësishme, pas asaj të pavarësisë. Dhe për këto gjashtë vjet, qeveria ka arritur të vendos themelet e shtetit funksional demokratik ne tere territore e saj”, ka thënë kryeministri Thaçi.

“Si obligim i kapitullit të parë të Kushtetutës kemi arrit ta vendosim sovranitetin dhe integritetin territorial duke garantuar këtë sovranitet me policët tanë duke përfshi të gjithë kufijtë, edhe Jerinjën dhe Bërnjakun (pikat kufitare me Serbinë)”, ka thënë kryeministri i Kosovës.

Kryeministri ka thënë se është arritur të themelohet administrata që kujdeset për shtetin dhe shtetin që kujdeset për të.

Sipas Thaçit, pas një procesi të qartë është arritur të definohet sektori i sigurisë së Kosovës dhe është vendos që Forca e Sigurisë së Kosovës të transformohet në Forcat e Armatosura të Kosovës.

\"Foto:

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi në fjalën e tij ka thënë se me Kushtetutën e parë të Kosovë u vendos rendi kushtetues i bazuar në parimet e lirisë, të paqes, demokracisë, barazisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.

“Në Kushtetutën e saj Kosova përcaktoi sovranitetin e popullit, sistemin politik, demokratik, ekonominë e tregut, pluralizmin politik, zgjedhjet e lira dhe të drejta, demokracinë parlamentare shtetin e së drejtës”.

“Pavarësia na e dha  Kushtetutën, por Kushtetuta duhet të jetë garancia e Pavarësisë e sovranitetit, e integritetit territorial të vendit dhe e rendit demokratik e ligjor”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se Kosova me Kushtetutën e saj vendosi të zgjedh rrugën e demokracisë kushtetuese, të një formati që sanksionon ndarjen e pushteteve, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Ai tha se këto cilësi themelore e bëjnë Kushtetutën e Kosovës, si njëra ndër Kushtetutat me standardin më të lartë evropian.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka thënë se Ditën e Kushtetutës së Republikës e konsideron si ditë të veçantë, jo vetëm për faktin që është akti më i lartë juridik për vendin, por që vuri themelet e ndërtimit të funksionit dhe organizimit të shtetit modern të Kosovës.

“Jo rastësisht sot, sikur para gjashtë viteve kur nënshkruan solemnisht Draft-Kushtetutën zgjodhëm këtë vend që simbolizon tempullin e dijës prej nga buronin dhe mbroheshin të drejtat tona si komb dhe si njerëz dhe Kushtetuta jonë është produkt i gjithë asaj  përpjekje për liri dhe barazi, i mendjes dhe vullnetit që kishin për frymëzim brezat e tërë të popullit tonë”, tha Kuçi për 6-vjetorin e Pavarësisë, në ceremoninë e mbajtur në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë.