Shenjat e hershme të diabetit, kush janë personat më të rrezikuar

Përqindja e të prekurve nga diabeti mellitus (apo diabeti i sheqerit) po rritet në të gjithë botën. Mbi 90 % të rasteve, janë pacientët me diabet të tipit 2. Përqindja tjetër përbëhet nga diabeti tip 1, diabeti i shtatzënisë dhe forma të tjera të diabetit.

Lifestyle

14/02/2017 07:37

Sipas të dhënave të IDF (International Diabetes Federation) të vitit 2012, në botë, janë 371 milion persona me diabet. Rreth 50 % e njerëzve që kanë diabet, janë ende të padiagnostikuar dhe kjo shifër llogaritet në 183 milion persona.

Numri më i madh i pacientëve me diabet i përket grupmoshës 40-59 vjeç.

Është e rëndësishme të theksohet se personat me diabet mund të mos kenë shenja klinike, pikërisht për këtë arsye duhet të bëhet kontrolli i glicemisë (sheqerit) në gjak.

Ndërkohë që personat që shfaqin etje të shtuar, urinim të shpeshtë, tharje të gojës, humbje në peshë, infeksione të përsëritura, duhet të masin nivelin e glicemisë. Nëse vlerat e glicemisë kanë qenë të larta për një kohë të gjatë personat me diabet mund të shfaqin edhe dobësi trupore, rënie në peshë, dhimbje barku, të vjella, etj.

Personat që duhet të testohen për diabet janë:

Të rriturit me mbipeshë trupore dhe obezë

Personat që bëjnë jetë sedentare

Personat që kanë të afërm me diabet

Femrat që kanë lindur fëmijë mbi 4 kg, ose që kanë pasur, në shtatzënitë e mëparshme,

diabet shtatzënie

Personat që vuajnë nga hipertensioni arterial

Personat që vuajnë nga sëmundje të zemrës

Personat që janë diagnostikuar më parë me pre-diabet

Femrat me mikrokiste në vezore