Shenja të njohjes

Qipro, Greqia dhe Sllovakia - tri nga pesë shtetet anëtare të BE’së që refuzonin ta njihnin Kosovën kur shpalli pavarësinë në vitin 2008 - kanë dërguar sinjale të qarta se janë duke i rishqyrtuar qëndrimet e veta. Kështu shkruan Financial Times.

Lajme

06/10/2013 14:37

Bashkimi Europian po arrin progres në shërimin e ndarjeve të veta rreth njohjes së pavarësisë së Kosovës, një hap që do t’i largojë pengesat diplomatike për integrimin e krahinës së dikurshme të Serbisë më afër BE’së, shkruan Gazeta Financial Times.

Sipas gazetës, Qipro, Greqia dhe Sllovakia – tri nga pesë shtetet anëtare të BE’së të cilat refuzonin ta njihnin Kosovën kur ky vend shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 – kanë dërguar sinjale të qarta se janë duke rishqyrtuar qëndrimet e veta, kur secili nga Ministrat e tye të Jashtëm u takuan javën e kaluar me Ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Hoxhaj, pas takimit me Miroslav Lajcak të Sllovakisë, në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së në New Yorjk, shkroi se ka pasur “një takim të frytshëm dhe të rëndësishëm… Perspektiva të reja (shtrohen) përpara”.

“Për pesë vjet, mosmarrëveshjet rreth Kosovës kanë qenë shembulli më i qartë se sa të vështirë e ka BE të operojë me një politikë të jashtme të përbashkët. Por, diplomatët thonë se perspektiva për një zgjidhje të pjeshme filloi të japë shkëndija pasi Baronesha Ashton, Shefja për Politikë të Jashtme e BE’së, ndërmjetësoi një marrëveshje në prill ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në rregullimin e dallimeve ndërmjet tyre”, thuhet në artikullin e FT.

“Mos prisni njohje të menjëhershme për këtë, por gjërat po lëvizin në frontin e njohjeve”, ka thënë një diplomat europian.

Më shumë se 100 shtete e kanë njohur Kosovën, por disa shtete të fuqishme përfshirë Brazilin, Kinën, Indinë dhe Rusinë ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

FT shkruan se prej pesë shteteve që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, Spanja është më rezistentja, për shkak se qeveria konservatore në Madrid është e ndjeshme ndaj kërkesave separatist në Kataloni.

Çështja e njohjes së Kosovës po e ndan edhe Rumaninë, me Presidentin Traian Basescu, i cili është kundër dhe Kryeministrin Victor Ponta që është në favor të njohjes. Mosnjohja arsyetohet me brengat rreth pakicës hungareze në Rumani, shkruan FT.