Shehi: Të zhveshim marrëdhënien Shqipëri-Kosovë nga patriotizmi fals

Njëri prej deputetëve më të vjetër të Parlamentit shqiptar, Dashamir Shehi, i cili ka qenë edhe zëvendëskryeministër, por tashmë është kryetar i Partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, thotë se i sheh si mjaft të rëndësishme iniciativat e dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës për organizimin e mbledhjeve të përbashkëta.

Lajme

05/04/2015 14:03

Megjithatë, Shehi shton se nuk është bërë mjaftueshëm, veçmas në aspektin ekonomik, pasi ai thotë se duhet që dy qeveritë të bëjnë një sistem fiskal të përbashkët, një treg pune të përbashkët dhe “ta zhveshim marrëdhënien mes nesh nga flamujt e patriorizmit fals”.

“Unë e quaj pozitive që u bënë dy herë mbledhje qeverie, por unë do ti konsideroja të rëndësishme nëse do të fillojmë ta mbushim pak me substancë këtë lloj marrëdhënie, që do të thotë, do bëjmë mbledhje qeverie por do marrim disa vendime të përbashkëta, sigurisht brenda situatës kushtetuese të të dyja shteteve që kemi ne dhe në autonominë e dy qeverive, por kemi tema shumë të përbashkëta, për shembull ideja që u bë tani për doganat, thyerjen e barrierave doganore. Kjo është si të thuash një tregues i një lloj efektiviteti. Çdo të bëjmë tjetër në fushën e marrëdhënieve të zgjerimit? Unë do të thoja që duhet ti afrohemi dalëngadalë një sistemi fiskal të përbashkët, një tregu pune i cili, si të thuash, ti lejojë të dy palët, kosto e punës të jetë pak a shumë e barabartë; të bëhet fleksibël nga të dyja anët e kufirit, si dh sigurisht edhe një politikë në fushën arsimore, afatgjatë, edhe ta zhveshim këtë lloj marrëdhënie nga pompoziteti i kotë, nga patriotizmi fals, nga flamujt”, thotë ai.

Propozimi i tij është që të dy qeveritë të merren me punët që do avanconin shtetet, sepse sipas tij ka 15 vite që avancimi është i vogël.

“Le të flasim realisht. Niveli i marrëdhënieve ekonomike, tregon se këtu ka disa pengesa, ka disa interesa, si këtu si atje të cilët nuk funksionojnë. Por unë gjykoj që edhe në qoftë një germë me pengesa prapë duhen kapërcyer sepse kjo është e vetmja mënyrë që kemi për të dalë nga këto cikërrima që jemi dy, tri komunitete shqiptare në Ballkan dhe për të krijuar një treg i cili është edhe interesant për investitorët e huaj, të heqim barrierat midis njëri-tjetrit pastaj të fillojmë të pretendojmë për barrierat e tjera se ne po pretendojmë Europën e zgjerimin ballkanik por ne me njëri-tjetrin nuk i kemi zgjidhur punët,” theksoi deputetit Shehi, transmeton Shehi.

Për krijimin dhe zgjerimin e një tregu të përbashkët ekonomik shqiptar Shehi nuk sheh si pengesë tregtinë me Serbinë apo me shtete të tjera, por duhet që të ecet me një politikë të përbashkët, në mënyrë që të mos ‘mbytemi’ nga globalizimi.

“Deri më sot kemi rezultat marrëveshjen doganore, por e thash që është shumë pak, duhen të tjera lëvizje shumë më të gjera që ta afektojnë të gjithë humusin ekonomik këtu në Shqipëri, që të fillojmë të prodhojmë disa gjëra të tjera, të prodhojmë një GDP tjetër nga kjo që kemi sot në Shqipëri. Unë nuk gjykoj (në lidhje me tregtinë me Serbinë) që të mbyllim kufirin andej dhe ta hapim këtej, jo. Unë gjykoj që një ekonomi që rritet këtu ka shanse të vazhdojë edhe të punojë me të tjerët. Ne po shkojmë drejt globalizimit, por nuk duam që brenda globalizmit komunitetet shqiptare të jenë identitete shumë të vogla dhe ti marrin përpara të tjerët. Duke qenë një politikë e përbashkët, sigurisht që kemi shanse që ti rezistojmë globalizimit, anës negative të globalizimit, dhe të përfitojmë ato që janë pozitive; kapitale më shumë, investitorë më të mëdhenj, më të rëndësishëm, më shumë siguri për tregjet dhe konsumatorët tanë. Kjo është politika e së ardhmes, nëse nuk do ta bëjmë ne shqiptarët mes vete, pse ankohemi prej botës”, thotë ai.

Më 23 mars u mbajt në Tiranë mbledhja e dytë e dy qeverive Shqipëri-Kosovë, e cila u mbyll me nënshkrimin e 12 marrëveshjeve, memorandumeve dhe protokolleve të bashkëpunimit në të gjithë sektorët. Mbetet për tu parë se sa do të zbatohen këto marrëveshje të përbashkëta. /KosovaPress/.