Shefqet Krasniqi arrin në gjykatë

Së shpejti pritet të nisë seanca e gjykimit të Shefqet Krasniqit që akuzohet për tri vepra penale.

Lajme

21/02/2018 13:27

Në seancën e sotme të gjykimit të Shefqet Krasniqit pritet ta japin dëshminë dy dëshmitarë.

Në seancën e kaluar një dëshmitar pretendoi se vëllai i i tij iu bashkua luftës në Siri, i nxitur nga ligjëratat e Shefqet Krasniqit.

Në seancën e zhvilluar më 14 dhjetor 2017, KALLXO.com raportoi se Shefqet Krasniqi ishte deklarua i pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohet.

Në aktakuzë konstatohet se shtytjen në kryerjen e veprave terroriste Krasniqi e ka kryer nga viti 2013 deri në 2014, ndërsa veprën penale të shmangies nga tatimit e ka kryer nga viti 2011 deri më 2016.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Shefqet Krasniqi, në cilësinë e imamit të xhamisë se madhe “Mehmet Fatih” në Prishtinë, në vazhdimësi dhe me dashje ka shpërndarë mesazhe për publikun. Përmes paraqitjeve të tij të drejtpërdrejta para publikut përmes ligjëratave të ndryshme, si dhe duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe mjetet tjera të informimit, përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimit të ajeteve kuranore jashtë kontekstit kohor dhe frymës parimore islame, ka shtyrë të tjerët ta marrin rrugën drejt zonës së konfliktit në Siri dhe Irak e më pas të kryejnë akte terroriste.  Sipas aktakuzës, Krasniqi ka cilësuar disa grupe fetare si armiq të myslimanëve-sunit, duke nxitur dhe përhapur urrejtje, përçarje dhe mosdurim ndaj grupeve tjera fetare, të cilat jetojnë edhe në Republikën e Kosovës.

Po ashtu, i pandehuri i lartcekur si tatimpagues dhe pronar i biznesit N.T “Portat”, ka fshehur dhe shmangur tatimin, me dashje ka dhënë të dhëna të pasakta, si dhe nuk i deklaruar të dhënat tjera relevante lidhur me obligimet tatimore, duke iu shmangur obligimeve tatimore në vlerë të përgjithshme prej  20,208.57  euro.

Të gjitha këto pretendime të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës janë mohuar nga Krasniqi që është deklaruar i pafajshëm./Kallxo.com