Shefit të Bankës Botërore nuk i pëlqen ajri që thith në Prishtinë

Ajri që thith në Prishtinë nuk i pëlqen shefit të Bankës Botërore për Kosovë.

Lajme

02/03/2018 10:25

Drejtorit të Bankës Botërore për Kosovë Marco Mantovanelli nuk po i pëlqen ajri që po thith në Prishtinë.

“Qe një kohë unë jam duke jetuar në Prishtinë dhe si çdokujt nuk më pëlqen ajri që po e thithim gjatë dimrit”, tha Mantovanelli në një punëtori të organizuar nga Banka Botërore dhe Ministria e Ambientit në lidhje me ndotjen.

Ai deklaroi më tutje se Banka Botërore është e shqetësuar për grimcat e vogla që na ngjiten në mushkri.

“Jemi të shqetësuar për ato copat e vogla që janë vështirë të filtrohen dhe ngjiten në mushkëritë tona”, tha Mantovanelli.

Ai tha se duhet të dihet nga vjen ndotja, për të vepruar pastaj.

“Duhet të shohim se ku është burimi dhe këto të dhëna t’i interpretojmë dhe të vijmë me një vendim”, tha Mantovanelli.

Ai tregoi edhe çfarë do të bëjë Banka Botërore kundër ndotjes.

“Banka Botërore do të financojë transportin e hirit, është instaluar një sistem i transportit me lagështi që hiri mos të përhapet”, tha Mantovanelli.

Gjatë punëtorisë për masat kundër ndotjes foli edhe ministrja e ambientit Albena Reshitaj.

“Në fillim të mandat kemi hartuar planin, grupi i ekspertëve kanë identifikuar pikat e ndotje në Kosovë. Kemi larguar thëngjillin nga tri institucione shkollore”, tha Reshitaj.

Ajo tregoi se 200 shkolla e përdorim thëngjillin për ngrohje.

“Bashkë me Ministrinë e Arsimit do të marrim vendim që në të gjitha shkollat të ndalohet përdorimi i thëngjillit sepse gati 200 shkolla e përdorin ende thëngjillin për ngrohje”, tha ministrja, teksa tregoi se do të krijohet edhe policia e gjelbër ër mbrojtje të ambientit.

Ajo tha se thëngjilli për ngrohje po përdoret në Kosovë për shkak se kushton më lirë, por u bëri thirrje njerëzve që në kohën e ajrit të rënduar të mos përdoret qymyri e as veturat.

Ministrja deklaroi se ajrin nuk duhet ndotur për shkak të fëmijëve dhe brezave të ardhshëm sipas saj nuk duhet t’u lëmë ambient të ndotur./kallxo.com