Shefi i ushtrisë serbe i ankohet komandantit të KFOR-it për Kosovën

Komandanti i KFOR-it, Salvatore Couci është takuar sot në Beograd me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura serbe, Milan Mojsiloviq.

Lajme

01/11/2018 20:02

Komandanti i KFOR-it, gjenerali Salvatore Couci ka zhvilluar sot në Serbi një vizitë zyrtare, transmeton lajmi.net.

Siç shkruan “Telegraf.rs”, ky është takimi i parë zyrtar në mes të komandantit të KFOR-it, gjeneralit Salvatore Couci dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura serbe, gjeneral-lejtnant, Milan Mojsiloviq.

Në kazermën “Topçider” në Beograd, Couci dhe Mojsiloviq diskutuan për gjendjen aktuale të sigurisë në Kosovë si dhe realizimin e aktiviteteve të përbashkëta të ushtrisë së Serbisë dhe KFOR-it.

Në këtë takim siç shkruan ky medium serb, Mojsiloviq ka shprehur shqetësimin e tij për situatën aktuale në Kosovë, përcjell lajmi.net.

Po ashtu Mojsiloviq, ka theksuar se nuk janë duke u zbatuar procedurat dhe marrëveshjet e sigurisë që janë thelbësore për sigurinë në Kosovë dhe se sipas tij, kjo ka bërë që edhe të komplikohet situata e sigurisë në Kosovë.

Sipas tij, interesi i përbashkët i ushtrisë së Serbisë dhe KFOR-it është që  të ruajnë sigurinë në zonat e përgjegjësisë në të dyja anët e vijës administrative dhe se siç është shprehur Mojsiloviq, KFOR-i është një akter ndërkombëtar dhe përgjegjës për sigurinë e të gjithë qytetarëve në Kosovë e në veçanti për pakicat, transmeton më tutje lajmi.net.

Ndryshe, këto takime janë të rregullta që nga viti 1999, pasi janë në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes Ushtarake Teknike, i cili është i përbërë nga Komanda e Komisionit të KFOR-it dhe Komisioni i Përfaqësuesve të Sigurisë së Serbisë. /Lajmi.net/