Shefi i kabinetit të Lutfi Hazirit ka dhënë dorëheqje?

I pakënaqur me rrjedhat brenda Komunës, Arbër Ismajli, shef i kabinetit të kryetarit Lutfi Haziri, i ka ofruar dorëheqjen kreut të Komunës. Por, Haziri ka mohuar që Arbër Ismajli të ketë dhënë dorëheqje. 

Lajme

06/08/2014 19:59

Burime të besueshme të portalit rajonipress thonë se Arbër Ismajli ka deponuar dorëheqjen dhe gati një javë nuk është paraqitur fare në punë.

Sipas këtyre burimeve, Ismajli ishte përkrahës dhe ndihmës i madh i Lutfi Hazirit para dhe gjatë fushatës zgjedhore dhe njëri nga njerëzit e besueshëm të tij.

Dorëheqja e shefit të kabinetit të Hazirit lidhet me moskoordinimin e punëve brenda organeve komunale. Thuhet se raportet jo të mira me drejtoritë dhe raportet e tjera e kanë shtyrë Arbër Ismajlin që të ofrojë dorëheqje.

I kontaktuar nga rajonipress, Lutfi Haziri tha se nuk është e vërtetë që Arbëri ka ofruar dorëheqjen.

”Jo nuk është e vërtetë kjo”, tha shkurt Haziri.

Ngjashëm tha edhe Ibrahim Ademi, nga zyra për informim. “Ky është spekulim i kulluar”, tha shkurt Ademi.

Por, rajonipress merr vesh se Arbër Ismajli ka ofruar dorëheqje dhe gati një javë nuk është paraqitur fare në punë. Dorëheqja e tij si duket nuk është pranuar nga Lutfi Haziri.