SHBA, Ukraina dhe Rusia

Përfaqësuesi i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ukrainën, Kurt Volker, thotë se Rusia duhet të lirojë deri në Krishtlindje ose para Vitit të Ri marinarët e Ukrainës të marrë rob në ngushticën e Kerçit në fund të nëntorit Ambasadori Volker foli të hënën me Zërin e Amerikës në Uashington, duke shpjeguar se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë po shqyrtojnë një numër alterantivash për të parandaluar Rusinë që të ushtrojë më shumë kontroll të njëanshëm në ujërat e përbashkëta të Detit Azov.

Bota

06/12/2018 21:37

“Ne nuk e pranojmë dhe nuk do të pranojmë aneksimin e Krimesë”, tha ai, duke nënvizuar qëndrimin që Shtetet e Bashkuara kanë mbajtur që nga viti 2014 kur Rusia aneksoi Krimenë, rajon në lindje të Ukrainës. Duke vënë në dukje se ujërat e detit Azov janë subjekt i një marrëveshjeje dypalëshe midis Ukrainës dhe Rusisë, ambasadori Volker shtoi se “ne nuk pranojmë që ujërat territoriale rreth Krimesë të jenë ruse. Ato janë ukrainase, dhe ne nuk pranojmë që ngushtica e Kerçit është krejtësisht ruse. Ne besojmë se është sovranitet i përbashkët”.

Ambasador Volker tha se veprimet e Rusisë në konfrontimin e 25 nëntorit, kur hapi zjarr dhe përfundimisht kapi tre anije të marinës ukrainase që përpiqeshin të kalonin nga Deti i Zi në Detin e Azovit përmes ngushticës së Kerçit, janë një shkelje e qartë e të drejtës ndërkombëtare dhe e marrëveshjeve dypalëshe me Ukrainën.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara ngulin këmbë që Rusia të kthejë anijet, 24 ushtarët ukrainas dhe agjentët e zbulimit të arrestuar nga forcat ruse. Zoti Volker tha se aleatët evropianë të Shteteve të Bashkuara mund të marrin masa për të penguar anijet ruse që vijnë nga Krimea ose nga Deti Azov për të hyrë në portet evropiane. Ai tha se masa ishte sugjeruar kohët e fundit nga Annegret Kramp-Karrenabaue, sekretare e përgjithshme e Bashkimit Kristian Demokratik në pushtet në Gjermani dhe një pasardhëse e mundshme e kancelares gjermane në largim Angela Merkel. “Kjo është një masë shumë e fortë dhe me efekte të mundshme. Do të shohim nëse e ndjekin”, tha zoti Volker për Zërin e Amerikës.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që masa të tilla të ushtrojnë presion mbi Rusinë deri sa ajo të jetë e gatshme të negociojë një zgjidhje. Ambasadori Volker tha se një tjetër masë e mundshme është nxjerrja e bankave ruse nga sistemi ndërkombëtar SWIFT, i cili vepron sipas ligjit belg dhe lehtëson transaksionet ndërkombëtare, duke mundësuar kryerjen e pagesave mes institucioneve të vendeve të ndryshme. “Njerëzit i referohen asaj si një opsion bërthamor,” tha zoti Volker.

“Do të ketë kosto për të gjithë, kosto të mëdha për Rusinë, por kosto të mëdha për aleatët.” Në fund të fundit”, tha ai, “ne duhet ta mbajmë atë si një mundësi, sepse thjesht nuk mund të vazhdojmë të shohim Rusinë të fillojë të ndërmarrë hapa të mëtejshëm agresioni në këtë rajon.” Ambasadori Volker tha gjithashtu se anulimi i një takimi të planifikuar midis presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin gjatë samitit të G-20 në Buenos Aires ishte i përshtatshëm për t’i përcjellë Rusisë mesazhin se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara në nivelin më të lartë për incidentin e Detit Azov. Zoti Wolker gjithashtu tha se beson se Rusia po përdor aktivitetet e saj në Ukrainë, në përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të Ukrainës të planifikuara për në mars 2019.

“Ata janë shumë seriozë për këtë,” tha Kurt Volker. Por shtoi se populli ukrainas ka zhvilluar një ndjenjë shumë më të fortë të skepticizmit ndaj Rusisë që nga veprimet e saj në Krime ” me pushtimin, aneksimin dhe vrasjen e ukrainasve”. Përfaqësuesi i posaçëm i SHBA-së për Ukrainën gjithashtu përgëzoi kapitenët e marinës ukrainase dhe marinarët e përfshirë në incidentin e ngushticës Kerç për qëndrimin e tyre të përmbajtur. “Ata nuk u tërhoqën,” tha ai. “Ata po përpiqeshin të shmangnin konfliktin dhe të vepronin me përgjegjësi”.

Zoti Volker tha se do të ishte hap jashtëzakonisht i pamatur për Rusinë që të merrte një veprim më agresiv në Ukrainë. “Ushtria ukrainase është shumë më e aftë se më parë,” tha ai. “Do të ishte një stërvitje shumë më e kushtueshme, që do ta konsolidonte edhe më shumë dhe Ukraina do të fitonte shumë mbështetje” nga NATO, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. I pyetur rreth planeve për të vizituar Ukrainën, Kurt Volker tha se shpreson ta vizitojë para fundit të vitit. Ai tha se do të donte të takohej me presidentin ukrainas Petro Poroshenko, me anëtarë të parlamentit dhe të shoqërisë civile dhe ndoshta të vizitonte një nga portet e Ukrainës. Të martën, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo kritikoi Rusinë, mes të tjerash, për inkursionit të saj në Ukrainë, për ndërhyrje në zgjedhje në SHBA dhe vende të tjera dhe vrasjen e ish-agjentit Sergei Skripal në Salisbury të Britanisë më parë këtë vit.