SHBA u thotë jo zgjedhjeve të parakohshme, por opozita i vlerëson të domosdoshme

Tri subjektet opozitare: Vetëvendosje, AAK dhe Nisma vazhdojnë të kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare, edhe pse kjo ide është kundërshtuar nga zëvendësndihmëssekretari amerikan i shtetit, Hoyt Brian Yee, i cili ka thënë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk janë opsioni i duhur dhe se institucionet e Kosovës duhet ta respektojnë afatin ligjor për mbajtjen e tyre.

Lajme

29/03/2017 13:59

Subjektet opozitare thonë se Qeveria “Mustafa” ka dështuar të realizoj premtimet që ka dhënë para zgjedhjeve të vitit 2014 dhe se e ka sjellë vendin në një situatë të disfavorshme në shumë fusha, prandaj opozitarët thonë se vendi duhet të shkoj në zgjedhje të parakohshme.

Madje, sipas tyre, kjo Qeveri është e pafuqishme që ta përfundoj mandatin e plotë.

Lëvizja Vetëvendosje thotë se para se të flitet për të ardhmen e Qeverisë aktuale, duhet të theksohet fakti që gjatë këtij mandati nuk është realizuar asnjë projekt në interes të qytetarit.

“Angazhimi kryesor i saj ka qenë ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi dhe themelimi “Zajednicës”, në të cilat po ashtu ka dështuar, gjë e cila është e mirë në këtë rast. Kjo qeverisje ka sjellë vetëm dëshprim e humbje shprese, ka vazhduar ta kultivojë klientelizmin e nepotizmin, e ka mirëmbajt e besa thelluar varfërinë, papunësinë e korrupsionin. E po ashtu, gjithë mandatit ka qenë e kushtëzuar dhe e shantazhuar nga Lista Sërbska, e cila është bërë pengesë e vazhdueshme në çdo proces të rëndësishëm”, thuhet në përgjigjen e Vetëvendosjes për lajmi.net.

Më, tej, subjekti më i madh opozitar thotë se në këtë gjendje, Qeveria është e pafuqishme ta çojë mandatin deri në fund.

“Vazhdimi i mandatit nuk sjellë dobi, kurse ndërprerja e mandatit të saj do të hapte rrugë për zgjedhje të lira e demokratike dhe për ndërrim të mentalitetit qeverisës. Sidoqoftë, si Lëvizje vetëvendosje jemi duke u angazhuar vazhdimisht në terren dhe duke e fuqizuar maksimalisht organizatën, prandaj jemi të gatshëm për zgjedhje. Trendi është i tillë që flet për rritjen tonë dhe nga ajo që po shohim në terren, por edhe nga rezultatet e sondazheve, ne do të jemi subjekti fitues i zgjedhjeve. Nuk i kemi për ngut zgjedhjet, madje mendojmë që sa më vonë që mbahen ato, ne do të rritemi edhe më shumë”, thuhet në fund të përgjigjes.

Kurse, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu ka thënë se nuk është mirë që të ketë zgjedhje të shpeshta, por sipas saj është në interes të Kosovës që të ketë zgjedhje të parakohshme, pasi ajo vlerëson se Qeveria “Mustafa” ka dështuar të realizoj programin e vet qeverisës të cilën e ka proklamuar para zgjedhjeve të vitit 2014.

“Nuk është interes i qytetarëve të Kosovës për të pas zgjedhje të shpeshta. Por kjo Qeveri nuk ka treguar seriozitetin dhe nuk ka përmbushur as për së afërmi programin qeverisës të cilën e ka proklamuar gjatë fushatës. Gjithashtu duke kujtuar të këqijat që ia ka sjell vendit kjo Qeveri, atëherë nuk mund të humbim më shumë kohë me të. Ky koalicion ka treguar mungesë serioziteti edhe sa i përket numrave në Kuvend. Dështimet që i ka pasur kjo Qeveri, nuk i ka pasur asnjë Qeveri e mëhershme”, ka potencuar Haxhiu, në një prononcim për lajmi.net.

Më tej, ajo ka thënë se gjatë këtij mandati qeverisës nuk ka ndodhë zhvillimi ekonomik siç kanë premtuar partië në pushtet, ndërsa thotë se Qeveria ka tentuar të zbatoj marrëveshje të dëmshme, por të cilat janë ndal nga opozita dhe qytatetarët.

“Është më mirë për qytetarët që të ketë zgjedhje më të shpejta, ashtu siç po i kërkojmë në vazhdimësi. Pasi ashtu do të kishim një Qeveri të re kredibile dhe e cila do të punonte në interes të vendit”, ka shtuar Haxhiu.

Edhe deputeti i Nismës për Kosovën, Haxhi Shala ka thënë se vendi duhet të shkoj në zgjedhje të parakohshme. Madje, sipas tij Kosova tashmë është vonuar në këtë aspekt.

“Jo që është koha tani të shkohet në zgjedhje, por është dashur shumë më herët për zgjedhje të parakohshme, sepse kjo Qeveri nuk është në gjendje të merr vendime në interes të vendit. Gjithashtu, po e shohim se vendi është në një ngërç politik, me Asociacionin, me Demarkacionin dhe së fundi me Ushtrinë. Këta udhëheqës janë duke e futur Kosovën në krizë politike, ku edhe faktori ndërkombëtar mund të reflektoj negativisht ndaj Kosovës. Asgjë nuk po ec përpara, as zhvillimi ekonomik dhe as liberalizimi i vizave”, është shprehur Shala duke thënë se është nevojë urgjente që Kosova të shkoj në zgjedhje, pasi sipas tij, kriza veçse po thellohet. /Lajmi.net/