SHBA, tezja flet për nipin Kim Jong-un

Tezja e liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong, pasi u largua nga shteti dhe familja e saj në vitin 1998, zotëron një biznes pastrimi në SHBA.

Bota

28/05/2016 20:25

Ko Yong-suk ka thënë se ajo është kujdesur për Kim Jong në kohën sa ishte ai në Zvicër për t’u shkolluar.

Ko, që është motër e nënës së Kim, tani jeton në New York, transmeton Klan Kosova.

CIA, që thuhet që e ka ndihmuar atë që ta blinte një shtëpi pas largimit, nuk i ka mohuar e as pohuar këto pretendime.

Në një intervistë të rrallë me The Washington Post, Ko, ka treguar se si është larguar në Zvicër së bashku me burrin e saj, për tu kujdesur për anëtarët e familjes diktatoriale të Koresë së Veriut që shkolloheshin atje.

Ajo e kujton Kim Jon-un si një person shumë gjaknxehtë dhe me mungesë tolerance.

Pavarësisht që ajo nuk e ka parë nipin e saj, tash liderin e Koresë së Veriut, për afër 20 vjet, ajo është kujdesur shumë për të sa ishte fëmijë.

“Ai dhe djali im luanin së bashku që kur lindën. Unë ia kam ndërruar pelenat të dyve”.

Ajo gjithashtu ka treguar se Kim që prej vitit 1992 e kishte ditur që do bëhej lideri i Koresë së Veriut. Kjo gjë iu ishte treguar për ditëlindjen e tij të tetë.

Ende mbeten të paqarta arsyet pse ajo me familjen e saj janë larguar për në SHBA.

“Fëmijët e mi kanë shkuar në shkolla shumë të mira dhe tani janë të suksesshëm, e unë kam burrin që mund të rregullojë çdo gjë. Nuk ka pse të kem zili”, ka thënë Ko.

Kurse burri i saj është shprehur tha: “Mendoj që ne e kemi arritur Ëndrrën Amerikane”.