SHBA-të mbështesin fuqishëm dialogun Kosovë – Serbi

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes zëdhënëses së Departamentit amerikan të Shtetit, Jennifer  Psaki, ka përshëndetur rifillimin e dialogut në nivel të lartë shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Lajme

11/02/2015 20:15

Kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm përmbajtjesor para në procesin e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha ajo. Psaki gjithashtu sinjalizon angazhimin e vazhdueshëm e të fuqishëm të të dyja palëve për implementimin e plotë të Marrëveshjes së Brukselit të 19 prillit 2013.

Nëpërmjet kësaj deklarate, Psaki nënvizoi se “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin fuqishëm të gjitha palët në këtë përpjekje”.

Edhe gazeta amerikane Wall Street Journal ka shënuar këtë rifillim dialogu pas gati një viti për të theksuar se “negociatat janë çelësi në përpjekjet e Serbisë dhe të Kosovës për të avancuar në rrugën drejt anëtarësimit në BE”.

Gazeta shkruan më tutje se, sipas Brukselit, “të dy qeveritë kanë dështuar të zbatojnë plotësisht pjesët e tyre të marrëveshjes së prillit të 2013-ës”, transmeton RTK.

Gazeta thekson më tej se të dy qeveritë po përballen me presione politike në rritje, ndërsa kryeministri Isa Mustafa, në nisjen e mandatit, edhe me një fillim mjaft të vështirë që pasoi ngërçin gjashtëmujor politik në vend. (RTK)