“SHBA të investojë më shumë në Serbi dhe ta largoj ndikimin rus”

Senatorë nga Partia Demokratike në SHBA kanë kërkuar që të ndahen më shumë para për Serbinë në mënyrë që të kundërshtohet ndikimi i Rusisë.

Lajme

10/01/2018 20:47

Ata gjithashtu kërkojnë që zyrtarët e lartë të SHBA-ve të vizitojnë Beogradin më shumë.

Në pjesën e raportit të Komisionit të Senatit për Punë të Jashtme për ndikimin rus në Evropë, thuhet se në Serbi, sipas Departamentit të Shtetit në mënyrë të konsiderueshme është rritur numri i organizatave joqeveritare dhe mediave me qëndrim pro-rus i cili duhet të kundërshtohet, veçanërisht duke pasur parasysh rolin qendror të Serbisë në Ballkan, transmeton lajmi.net.

Ben Cardin, një nga senatorët demokrat, ka thënë se përderisa presidenti amerikan, Donald Trump nuk po bën asgjë në nivel ndërkombëtar, presidenti rus, Vladimir Putin vazhdon të përmirësojë arsenalin asimetrik, kërkon mundësi të mëtejshme për të ndërhyrë në qeveri dhe të minoj mbështetjen demokratike dhe ndërkombëtare që Shtetet e Bashkuara dhe Evropa e kanë ndërtuar gjatë 70 viteve të fundit.

“Arsenali asimetrik i qeverisë ruse në Serbi është i shumëfishtë dhe shumë efektiv në mbajtjen e marrëdhënieve të forta me Moskën. Kjo u arrit me investime dhe përpjekje të vogla, pasi nuk u kundërshtua mjaftueshëm nga SHBA dhe Bashkimi Evropian. Duke pasur parasysh rolin qendror dhe ndikimin e Serbisë në Ballkan, çdo strategji ndaj ndikimit malinj duhet të fillojë me Beogradin”, thuhet në raport.

Raporti gjithashtu thotë se krerët e Serbisë po kalojnë nëpër një mjedis të vështirë politik por që nuk ka dyshim se Serbia përballet me presion ndërsa përpiqet të ‘ulet në dy karrige’.

Senatorët vlerësojnë se propaganda ruse do të vazhdojë të ndikojë opinionin publik në Serbi, nëse nuk ka mbrojtje domethënëse. Autoritetet serbe nuk po bëjnë sa duhet për të kundërshtuar ndikimin e Moskës, thuhet në raport, duke shtuar se ‘nëse Serbia dëshrion të bashkohet me BE-në duhet të marrë hapa për të luftuar arsenalin asimetrik rus’.

Senatorët demokratë thonë se SHBA-të duhet të rrisin mbështetjen e tyre ndaj Serbisë pasi që ajo ka qenë në rrugën e zbritjes për vite.

Nga të dhënat e kongresit, Shtetet e Bashkuara kanë dhënë 22.9 milionë dollarë në vitin 2014 në Serbi, 14.2 milionë dollarë në vitin 2015 dhe 16.8 milionë në 2016. Për vitin 2017, administrata e Obamës kërkoi 23 milionë dollarë, ndërsa e Trumpit ka kërkuar vetëm 12.1 milionë në buxhetin e vitit 2018.

Tutje në raport, thuhet se Uashingtoni gjithashtu duhet të punojë për të mbështetur përpjekjet e Serbisë për të qenë më të pavarur nga energjia, pasi ajo është më e varur nga energjia e importuar nga Rusia./Lajmi.net/