SHBA-të dhe Britania e Madhe kritikojnë ligjin rus kundër OJQ-ve

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësimin e tyre me ligjin e ri rus, i cili ndalon, siç thuhet, organizatat e padëshirueshme joqeveritare.

Bota

24/05/2015 10:42

Presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin ka nënshkruar ligjin të shtunën, duke u dhënë të drejtë prokurorëve të shtetit që të fusin në listën e zezë organizatat, të cilat “paraqesin kërcënim për kapacitetet mbrojtëse të Rusisë, sigurinë, rendin publik ose shëndetin publik”.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Marie Harf ka thënë se kjo masë “do të kufizojë më tej punën e shoqërisë civile në Rusi”, transmeton REL.

Harf po ashtu ka thënë se ligji është një tjetër shembull për politikat shtypëse të Kremlinit ndaj zërave të pavarur.

Legjislacioni, i cili është miratuar nga të dyja dhomat e Parlamentit rus këtë javë, po ashtu parasheh gjoba ose dënime me burg për individët që punojnë për “organizatat e tilla”.

Njëkohësisht, Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe ka shprehur drojën se ligji i ri rus do të krijojë pengesa serioze për aktivitetet e organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në Rusi.

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe Amnesty International po ashtu kanë dënuar ligjin e ri, duke e cilësuar atë si pjesë e një aksioni ekstrem që ka për qëllim të shtrëngojë jetën e shoqërisë civile.