SHBA-të dhe Britania e Madhe kërkojnë rrallimin e raportimeve për Kosovën në Këshill të Sigurimit

Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Aemerikës, Britania e Madhe dhe Kosova kërkuan rrallimin e raportimeve dhe takimeve për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në New York.

Lajme

26/05/2015 22:39

Karakteristikë e takimit të sotëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku u shqyrtua raporti tremujor i Sekretarit të Përgjithshëm mbi zhvillimet në Kosovë, ishte kërkesa nga SHBA-të, Britania e Madhe dhe nga Kosova për rrallimin e raportimeve dhe takimeve lidhur me Kosovën në Këshillin e Sigurimit në New York, si dhe transformimin e rolit të UNMIK-ut në terren.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi tha se që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, roli i misionit të UNMIK-ut është minimizuar dhe është koha që Këshilli i Sigurimit ta konsiderojë mundësinë për një “UNMIK të transformuar që do të ndihmonte Kosovën në realizimin e aspiratave për t’u anëtarësuar në Kombet e Bashkuara”.

Edhe përfaqësuesi amerikan, ambasadori David Pressman theksoi se ndonëse Shtetet e Bashkuara besojnë se situata në Kosovë mbetet një çështje e rëndësishme, barra në Këshillin e Sigurimit me këto takime duhet të reduktohet.

“Nga shtatë çështjet që mbulohen nga Këshilli i Sigurimit në formatin e debatit, UNMIK-u përbën 25 për qind të të gjitha takimeve vetëm në 12 muajt e fundit, që është baras me vëmendjen e situatës në Afganistan në këtë format. Këshilli duhet të zgjasë periudhën e raportimit të Sekretarit të Përgjithshëm për çdo gjashtë muaj, në vend të çdo tre muajve, sa është tani”, tha ambasadori Pressman, transmeton RTK.

Progresi në Kosovë është i pamohueshëm, tha zëvendësambasadorja e Britanisë së Madhe, Alexandra Davison.

“Për shkak të këtij progresi ne e themi përsëri se është koha e zvogëlimit të shpeshtësisë së këtyre takimeve. Realiteti në terren, siç pasqyrohet në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm, nuk e meriton këtë nivel të vëmendjes nga ana e Këshillit, veçanërisht kur ka kaq shumë çështje më të ngutshme”, tha Davison.

Të dyja këto vende anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit e vlerësuan progresin në Kosovë dhe lavdëruan qasjen konstruktive të institucioneve të Kosovës ndaj ngjarjeve tragjike në Maqedoni. Ato po ashtu kërkuan që Kuvendi i Kosovës sa më parë të votojë dhe miratojë krijimin e Gjykatës së Posaçme.