“SHBA-të dhe Bashkimi Evropian nuk janë të interesuara për ndarjen e Kosovës”

Mundësia që në tavolinën e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë të hidhet edhe çështja e shkëmbimit të territoreve mes dy vendeve, ka ngjallur reagime të mëdha në opinionin publik, të cilët e shohin këtë si një lëvizje shumë të rrezikshme për sigurinë në Ballkan.

Lajme

27/07/2018 20:18

Tash e një kohë në media të ndryshme vendore mirëpo edhe të huaja është duke u raportuar se për një çështje të tillë ka pajtueshmëri edhe aleati kryesor i Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan lajmi.net.

Mirëpo, një opsion i tillë është duke u kritikuar në masë të madhe nga individë të shumtë, si dhe nga vetë spektri politik në Kosovë.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, ka thënë sot për lajmi.net se sipas tij, SHBA-të dhe Evropa nuk janë të interesuara për ndarjen e Kosovës.

Kjo për shkak se siç thotë ai, do të kemi të bëjmë më një lëkundje të kufinjve në gjithë Ballkanin.

“Nuk e besoj që mund të jetë opsion i qëlluar, dhe nuk e besoj që as Evropa, e as SHBA-të janë të interesuara për ndarjen e Kosovës. Kjo për shkak se nëse fuqitë e mëdha e bëjnë ndarjen e Kosovës, atëherë kemi të bëjmë me lëkundjen e kufinjve me automatizëm. Shqiptarët e Maqedonisë do të kërkojnë ndarjen e Maqedonisë  dhe bashkimin me Kosovën, pastaj serbët e Bullgarisë, edhe ata do të kërkojnë bashkimin me Serbinë, ose hungarezët e Vojvodinës”, ka thënë Islami.

Ai tutje tha se diçka e tillë mund ta rrezikojë edhe vetë sigurinë evropiane, dhe mund të sjellë edhe fillimin e luftës së tretë botërore.

“Nuk e besoj që Evropa dhe SHBA-të janë të interesuara që në Ballkan të fillojë lëkundja e kufinjve. Në aspektin e sigurisë, do të thotë që kur t’i bëjmë të gjitha së bashku, rrezikohet siguria evropiane dhe shumë lehtë mund të vijë deri te lufta e tretë botërore. Jo rastësisht thuhet se Kosova është detonator i problemeve jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropë. Dhe si e tillë, Prishtina nuk do të lejojë ky opsion të diskutohet, e këtë nuk do ta lejojë as Bashkësia Ndërkombëtare e cila nuk është e interesuar të luajë më zjarr”, përfundoi Islami.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme ministria e Jashtme ruse ka demantuar raportimet e mediave se në takimin e Helsinkit mes Trump dhe Putin është diskutuar edhe propozimi për ndarjen e Kosovës.

Në komunikatën e lëshuar, thuhet se raportime të tilla janë dezinformata, dhe se një realitet i tillë nuk qëndron./Lajmi.net/