SHBA: Sanksione kundër ushtrisë së Birmanisë

Shtetet e Bashkuara thonë se e përfundojnë ndihmën ushtarake për njësitë dhe oficerët e involvuar në dhunën kundër komunitetit mysliman Rohinxha në Birmani dhe i shqyrton masat e tjera lidhur me trajtimin e autoriteteve në këtë vend ndaj popullatës pakicë.

Bota

24/10/2017 09:56

Zëdhënësja e Departamentit ameirkan të shtetit, Heather Nauert, tha mbrëmë se në aksionet e mëtejshme mund të përfshihen sanksione të shënjestruara sipas legjislacionit amerikan, Akti Global Magnitsky, i cili i ndëshkon zyrtarët që nga Uashingtoni vlerësohet se janë përgjegjës për shkelje të të drejtave të njeriut.

Departamenti amerikan i shtetit tha se në mesin e masave që tashmë janë ndërmarrë, përfshihet ndalimi i udhëtimit për zyrtarët e dikurshëm dhe ata aktualë të ushtrisë së Birmanisë, e njohur edhe si Mianmar, dhe përjashtimi i njësive dhe oficerëve në shtetin Rakhine të Birmanisë, nga ndihma amerikane.

“Ne shprehim shqetësimin tonë të madh për zhvillimet aktuale në shtetin Rakhine dhe për abuzimet e dhunshme dhe traumatike që i kanë përjetuar pjesëtarët Rohinxha dhe komuniteteve e tjera”, tha zëdhënësja Nauert dhe ka shtuar se “është e domosdoshme që çdo individ apo entitet përgjegjës për mizoritë, përfshirë aktorët joshtetërorë dhe vullnetarët, të mbahen përgjegjës”.

Më se 400 mijë pjesëtarë të komunitetit Rohinxha janë larguar nga shteti Rakhine në Birmani, me popullatë shumicë budiste, në Bangladeshin fqinj, gjatë disa javëve të fundit për shkak të goditjes ushtarake, pas sulmeve nga kryengritësit Rohinxha.

Më 18 tetor, sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, tha se Shtetet e Bashkuara i mbajnë përgjegjës liderët e ushtrisë së Birmanisë për goditjen kundër pjesëtarëve të komunitetit Rohinxha.

Qeveria e Birmanisë thotë se nuk i ka goditur civilët dhe se aksionet e saj ishin të drejtuara kundër militantëve.

Në vitin 2012, Kongresi i Shteteve të Bashkuara e ka miratuar Aktin Magnitsky, që i ndëshkon rusët, për të cilët Uashingtoni konsideron se janë shkelës të drejtave të njeriut, me ndalim të vizave dhe ngrirje të pasurive.

Më vonë është miratuar Akti Global i Përgjegjësisë Për të Drejtat e Njeriut Magnitsky, duke e zgjeruar fushëveprimin e tij në përmasa botërore.