SHBA: Qytetarë amerikanë, kujdes gjatë Pashkëve në Kosovë

Byroja për Siguri Diplomatike e Departamentit Amerikan të Shtetit, ka lëshuar një kumtesë përmes së cilës u bënë thirrje qytetarëve amerikanë në Kosovë që të jenë vigjilentë gjatë festës së Pashkëve.

Lajme

18/04/2014 11:09

Kumtesa është e bazuar në informacione që posedon Ambasada Amerikane në Prishtinë e që kanë të bëjnë me kërcënime ndaj objekteve fetare të krishtera në Kosovë.

Është hera e parë që një organizatë ndërqeveritare amerikane u bënë thirrje të kësaj natyre qytetarëve amerikanë në Kosovë në prag të njërës nga Festat më të mëdha të krishtera, siç janë Pashkët, ndërkaq aludimi është shumë i qartë për të gjithë ata që përcjellin ‘evoluimin dhe involvimin’ e disa segmenteve të shoqërisë kosovare.

Një kumtesë poashtu në shkurt e kësaj organizate ndërqeveritare, Këshillit konsultativ për Siguri Jashtë vendit gjithashtu këshillonte qytetarët amerikanë për vigjilencë dhe tërhiqte vërejtjen për \”rritjen e islamizmit ekstremist në Kosovë, në veçanti jashtë Prishtinës\”, raporton RTK.

“Festat e Pashkëve janë të një rëndësie të veçantë fetar për komunitetet e krishtera, katolike dhe ortodokse dhe pritet që në vendet e tyre të lutjeve të jenë dukshëm me më shumë njerëz se sa normalisht. Duke pasur parasysh kërcënimet e herëpashershme kundër institucioneve fetare në Kosovë, sidomos ndaj kishave më prominente në qendrat urbane, ambasada e SHBA dëshiron t’u tërheq vëmendjen qytetarëve amerikanë në Kosovë që të jenë vigjilentë dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë tek Policia e Kosovës”, thuhet në këtë \”këshillë udhëtimi\” për qytetarët amerikanë që janë apo planifikojnë të udhëtojnë këtyre ditëve në Kosovë.