SHBA, pse po ndahen nga prindërit fëmijët e emigrantëve?

Mediat botërore janë mbushur me lajme për rreth 2000 fëmijë emigrantësh, që 5 vjeç e sipër, të cilët mbahen me javë e me muaj, në kampe të ngjashme me kafazet, pa kontaktuar me prindërit e tyre të cilët ndiqen penalisht nga shteti amerikan për shkelje të paligjshme të kufirit.

Bota

19/06/2018 11:17

Një regjistrim zanor tregonte se si fëmijët e rrethuar nga gardhet me rrjeta hekuri qanin në kor dhe kërkonin prindërit, të cilët mbahen larg, deri edhe në shtete të tjera.

Përfaqësues të qeverisë Trump thonë se më përpara, shumë azilkërkues që hynin në Amerikë në mënyrë të paligjshme e me fëmijë të vegjël, nuk mbaheshin të mbyllur në qendra ndalimi derisa t’u shqyrtohej kërkesa për azil. Ata liheshin të lirë për shkak të fëmijëve, deri ditën që duhej të paraqiteshin për vendimin, por në shumicën e rasteve nuk paraqiteshin fare dhe vazhdonin jetën e paligjshme në Amerikë.

Për administratën, kjo ishte kthyer në metodë për të përfituar nga sistemi, dhe kishte shtuar ndjeshëm numrin e emigrantëve të paligjshëm. Për këtë arsye, qeveria vendosi të mos i lërë të lirë prindërit me fëmijë, por t’ua mbajë fëmijët në kampe të posaçme, ndërkohë që prindërit gjykohen për krimin e shkeljes së kufirit në mënyrë të paligjshme, procedurë që zgjat disa javë e deri në disa muaj.

Administrata e presidentit Trump nxori foto të kampeve ku fëmijët shiheshin duke luajtur videolojëra e duke studiuar, por foto të tjera nga gazetarët treguan që kushtet e tyre ishin ndryshe. Fëmijët në qendra të tjera mbaheshin në zona të rrethuara me rrjeta teli, si kafaze, shtriheshin mbi dyshekë të vendosur në tokë dhe mbuloheshin me letra alumini. Një audio e regjistruar fshehurazi tregonte se si më të vegjlit qanin në kor e kërkonin prindërit.

Trump dhe zëdhënësit e tij thonë se me ndërhyrje ligjore mund të bëjnë që situata e fëmijëve të ndarë të ndryshojë, por për këtë duhet të votojnë bashkë me demokratët, të cilët, sipas republikanëve, po refuzojnë të bashkëpunojnë. Demokratët, nga ana tjetër, akuzojnë republikanët se u kanë vënë kushte të rënda. Nëse duan të shpëtojnë fëmijët e ndarë, duhet të miratojnë ligje kundër një tjetër kategorie amerikanësh, “DREAMERS”, të cilët janë fëmijë emigrantësh të ardhur në Amerikë prej shumë vitesh, të sjellë nga prindërit, e pasi janë shkolluar në Amerikë, kanë marrë një status nga administrata Obama që i lejon të vazhdojnë jetën aty, të punojnë e të studiojnë normalisht, për sa kohë që nuk kryejnë krime.

Ndërkohë që politikanët në Amerikë vazhdojnë t’ia hedhin fajin njëri-tjetrit,  gazetarja e CNN, Rosa Flores, shkon në Tijuana të Meksikës që të takojë Ignacio Villatorro, të cilit i kanë kapur gruan dhe katër fëmijët. Ata nuk janë lënë bashkë, por janë ndarë në kampe të ndryshme, në tre shtete të ndryshme të Amerikës, pasi bënë kërkesë për azil.

Ai lidhet me një prej djemve në telefon, me video, dhe e këshillon të birin 13-vjeçar që të mos shqetësohet, të përpiqet të mësojë anglisht në kamp e të sillet mirë. Por dy djemtë e tjerë nuk pranojnë t’ia hapin telefonin të atit. Ata besojnë se janë braktisur nga prindërit, besojnë se e kanë ata fajin, gjë që e bën babain të përlotet përpara kamerave. “Më thyhet zemra, sepse ata nuk janë braktisur”, thotë ai.

Ed Lavandera, korrespondent për CNN, thotë se zona e jugut të Teksasit është më e rrahura nga emigrantët e paligjshëm që përpiqen t’i shpëtojnë dhunës nga vendet e Amerikës së Jugut e asaj Qendrore. Shumë prej tyre hyjnë në qytezën McAllen të Teksasit, ku, pasi kapen, i nënshtrohen politikës me “Tolerancë Zero” të Trumpit.

“Nëse kaloni kufirin në mënyrë të paligjshme, do të ndiqeni penalisht”, tha Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions në maj të këtij viti. “Nëse trafikoni fëmijë përtej kufirit, do të ndiqeni penalisht. Dhe fëmija do të ndahet nga ju, sipas ligjit.”

Gjatë administratës së Obamës dhe të presidentit Bush, ky ligj zbatohej vetëm me emigrantët e paligjshëm që riktheheshin në SHBA për herë të tretë ose të katërt.  Por administrata e presidentit Trump vendosi t’i ndjekë penalisht që me herën e parë ata që shkelin kufirin, gjë që ka krijuar situatën e tanishme. Më parë kishte rreth 20-30 raste të tilla në ditë. Tani janë 200, sipas Miguel Nogueras, avokat në McAllen, Teksas.

Gazetari i CNN, Bob Ortega, hyri në qendrën më të madhe në SHBA ku mbahen fëmijët e veçuar nga prindërit emigrantë.

“Vizitova një qendër për fëmijët e emigrantëve, Casa Padre, të organizuar në një ish supermarket të Walmart, rreth 23,000 metra katrorë. Aty mbahen 1500 djem, nga 10 deri në 17 vjeç”, thotë gazetari, duke shtuar se turi që i dhanë drejtuesit e qendrës ishte më shumë për të treguar vetëm anën e mirë, por pa u dhënë mundësinë të intervistonin fëmijët apo stafin që punon aty.

“Ata na lejuan në mënyrë që të shihnim se fëmijët po trajtoheshin mirë. Dhe nga ajo pikëpamje, kjo qendër është e pastër, fëmijët po ushqehen mirë, por mbetet qendër ndalimi. Hymë kur djemtë sapo do të hanin darkën, dhe radha e fëmijëve  që bëheshin gati të merrnin ushqimin ishte shumë e gjatë.  Djemtë flenë 5 veta në një dhomë,” shton ai.