SHBA, përkrahë Kosovën në rrugën drejt NATO-s

Qeveria amerikane do vazhdoj përkrahjen e saj për Kosovën, ka thënë zëvendësndihmës sekretari i shtetit amerikan Hoyt Yee. Ai gjatë një takimi me zëvendëskryeministren Edita Tahiri, tha se Kosova e ka vendin në NATO dhe Qeveria amerikane do ta mbështes Kosovën në këtë rrugë.

Lajme

06/05/2014 14:35

Zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit, tha se qeveria amerikane vlerëson lartë progresin e arritur në Kosovë dhe i shprehë mirënjohje Qeverisë së Kosovës, për këto arritje të mëdha në një periudhë relativisht të shkurtër të shtetndërtimit të Kosovës. 

“SHBA-të mbështesin perspektivën euro-atlantike të Kosovës dhe ne ju urojmë për përmbylljen e suksesshme të negociatave për Marrëveshjen Stabilizim Asocimit me BE-në, që do të nënshkruhet në kohën e duhur, me të cilën rruga e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian është qartësuar dhe siguruar”, tha Hoyt Yee. 

Ai po ashtu tha se Qeveria amerikane ka mbështetur transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës dhe mbështet futjen e Kosovës në Partneritetin për Paqe me NATO-n. 

“Kosova e ka vendin e saj në NATO dhe të gjithë duhet të angazhohemi që kjo të ndodh sa më shpejtë”, tha ai. 

Ndërkaq, zëvendëskryeministrja Tahiri, e cila po qëndron për vizitë në SHBA, tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar maksimalisht për të jetësuar vizionin euro-atlantik për Kosovën.

 “Politika jonë e jashtme ka orientimet e qarta perëndimore dhe ne jemi duke e ndërtuar shtetin e Kosovës me një arkitekturë euro-atlantike, duke çuar përpara qëllimet tona strategjike që Kosova sa më shpejtë të bëhet anëtare e BE-së, NATO-s, OKB-së, dhe e organizmave tjera relevante ndërkombëtare”. 

Po ashtu gjatë ditës, Tahiri u takua edhe me Tom Duffy, Drejtor i Misioneve të OKB-së në Departamentin e Shtetit. 

Ndërkaq gjatë vizitës në SHBA, Tahiri pritet të zhvillojë takime edhe me përfaqësues tjerë të qeverisë amerikane dhe të Kongresit amerikan.