SHBA nuk përkrah retorikën e ashpër të opozitës, thotë Lu

Ambasadori amerikan ë Shqipëri, Donald Lu, ka thyer heshtjen relativisht të gjatë.

Lajme

02/03/2017 22:46

I pari i Amerikës në Shqipëri, për herë të fundit kishte folur kur akuzoi Kryeprokurorin se kishte shkelur Kushtetutën gjatë zbatimit të reformës. Në një takim me gazetarët kryesorë në vend, Lu foli për herë të parë për protestën e opozitës dhe shprehu qëndrimin e Washingtonit.

Sipas ambasadorit çështjet e ngritura nga protesta e opozitës janë shqetësime që i ndajnë edhe ata, si shumë shqiptarë.

“Zgjedhjet, dekriminalizimi dhe situata shqetësuese e hashashit në vend. Aty ku ne ndahemi janë mjetet për ta shtyrë përpara këtë agjendë. Shtetet e Bashkuara janë kundër bojkotit të Parlamentit, kërcënimi për të bojkotuar zgjedhjet, Reformën Zgjedhore apo zbatimin e Reformës në Drejtësi”.

Ambasadori Lu përjashtoi mundësinë e negocimit ndërkombëtar dhe veçanërisht atij amerikan. Ai tha se kjo mund të zgjidhej mes vet partive politike shqiptare, me qetësi dhe jashtë retorikave të ashpra.

Ai veçanërisht foli për shqetësimin amerikan për bllokimin, që kjo situatë mund t’i sjellë Reformës në Drejtësi, e veçanërisht gongut që tashmë ka rënë për zbatimin e ligjit të “vetting”-ut, tashmë që misioni ndërkombëtar po çon “listën e zezë” të zyrtarëve për t’u miratuar në Parlament, ku duhet të ngrihen për këtë edhe komisionet e posaçme parlamentare me përbërje të barabartë mazhorancë-opozitë.

Duke iu kthyer situatës politike e protestës së opozitës, si dhe rreziqeve të pozicionit të ri të marrë nga Lulzim Basha, ambasadori amerikan foli edhe për takimin e tij me Ilir Metën

“Ishte një takim shumë pozitiv. Unë nënvizoj rolin kritik që tashmë ka Ilir Meta në këtë situatë, si dhe përpjekjet që ai duhet të bëjë për të gjetur mundësi për zgjidhjen e saj”, tha Donald Lu.

Ambasadori Lu kishte edhe një këshillë.

“Kam një këshillë për ata që protestojnë. Shpresoj që të përqafojnë reformat”.