SHBA në ethe nga “Snowdeni i dytë”

Dokumentari i fundit i bërë mbi rastin e Edward Snowden, që mban firmën e gazetares Laura Poitras, ka alarmuar organet hetimore të Shteteve të Bashkuara.

Bota

29/10/2014 23:39

FBI dhe NSA kanë forcuar përpjekjet për të verifikuar, në bazë të informacioneve të dokumentarit me titull “Qytetari i katërt”, ekzistencën e një Snowdeni të dytë.

Sipas raportimeve të “Yahoo! News”, të cilat nuk janë përgënjeshtruar nga qeveria amerikane, FBI e ka identifikuar të ashtuquajturin “burimi i dytë”, transmeton TCH.

Mësohet se ai është një personazh që ka qasje në arkivat sekrete të administratës amerikane dhe se ka shkaktuar një “çarje” të re në mburojën e aparateve të sigurisë të SHBA.

Megjithatë, ende nuk dihet emri apo roli i saktë i tij dhe as nuk është e qartë nëse është arrestuar apo jo. Agjentët federalë kanë kontrolluar shtëpinë e tij.

Ajo që dihet është se bëhet fjalë për një kontraktor tjetër që ka fituar tenderin e shërbimeve për Pentagonin dhe rrjetet e shërbimeve të inteligjencës.

Vetë Snowden, i cili zbuloi skandalin e përgjimeve dhe që aktualisht jeton në Rusi, ka folur më parë për të në një intervistë për faqen hetuese të internetit ‘The Intercept’.

“Është një tip i guximshëm, është jashtëzakonisht i guximshëm”, ka thënë Snowden për “pasardhësin” e tij. (TCH)