“SHBA mbështetë Ushtrinë e Kosovës, por ajo nuk bëhet pa thënë serbët”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e konfirmuan mbështetjen e plotë për formimin e Ushtrisë së Kosovës, sa më shpejt. Kjo ishte një nga mesazhet më të rëndësishme të ndihmës sekretarit të shtetit për çështje evropiane dhe euroaziatike, Wess Mitchell gjatë vizitës në Prishtinë, por edhe dje në Serbi.

Lajme

15/03/2018 10:17

Mitchell edhe një herë ripohoi përkushtimin e madh të Amerikës ndaj Prishtinës, duke rikthyer fokusin në transformimin e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri. Kjo do bëhet kurdoherë pasi Kosova duhet të ketë njëri nga atributet e një shteti sovran.

“Amerika do ta mbështes nga afër transformimin e FSK-së në të gjitha nivelet. Beogradi e njeh  qëndrimin e SHBA për këtë çështje”, tha Mitchell dy ditë më parë në Prishtinë.

Mirëpo, dje në Beograd, ai përsërit të njëjtën gjë, transmeton lajmi.net.

“Kosova ka të drejtë të formojë forca profesionale që do të merren me sigurinë e që përfshihen edhe serbët e Kosovës. Askush nuk e ka të drejtën e vetos ta ndalojë atë”, tha Mitchell pas takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, por theksoi se kjo duhet të bëhet me ndryshime të nevojshëm të Kushtetutës.

Megjithatë, blici serb në analizën e bërë për këtë çështje, thotë se ekziston një problem për palën e Kosovës, ndryshimet kushtetuese duhet të gjejnë mbështetjen edhe të komuniteteve pakicë, duke përfshirë edhe përfaqësuesit e serbëve në Kosovë.

Më saktësisht, pa mbështetjen e Listës Serbe në parlamentin e Kosovës, ndryshimet kushtetuese për transformimin e FSK-së në ushtri, për të cilën po këmbëngul edhe Perëndimi, thjesht nuk janë të mundshme.

“Shtetet e Bashkuara po punojnë për të formuar ushtrinë e Kosovës e kjo nuk është asgjë e re. Megjithatë, problemi është se ndryshimet kushtetuese, në të cilën insistojnë Amerika e BE-së, nuk mund të bëhen pa shumicën prej dy të tretat në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që kjo mund të interpretohet si një lloj presioni mbi përfaqësuesit e serbëve në Kosovë”, ka thënë një burim për Blicin serb nga parlamenti i Kosovës.

Mitchell mbështeti në mënyrë të qartë formimin e ushtrisë së Kosovës, po shqyrton edhe analisti i Prishtinës, Fatmir Sheholi, me vërejtjen se ajo është një nga gjërat që lënë përshtypjen më të fortë në Prishtinë.

“Është e rëndësishme, është e qartë dhe tha se ky mesazh për transformimin e FSK-së në forca të armatosura do t’i dërgohet Beogradit dhe se SHBA e mbështesin atë”, ka thënë dje Sheholi për TV Prva.

 

Nëse SHBA e mbështet këtë, nuk do të thotë gjithçka, thotë Igor Novakoviq nga Fondi ISAC. Sipas tij, ai është i bindur se transformimi nuk mund të ndodhë pa ndryshime kushtetuese dhe pa pëlqimin e komuniteteve pakicë e sidomos të serbëve.

Megjithatë, Presidenti serb Aleksandar Vuçiq është shprehur kundër formimit të ushtrisë së Kosovës, dhe thekson se Serbia do të vazhdon të kundërshtojë.

“Nuk ka asnjë akt ligjor ndërkombëtar që mund të justifikojë formimin e forcave të armatosura të Kosovës dhe Serbia do ta kundërshtojë atë. Më tregoni letrën e vetme në bazë të së cilës thotë se duhet formuluar forcat e armatosura të Kosovës dhe se ka mbështetje në të drejtën ndërkombëtare. Nuk ka dhe nuk mund të shpiket nga askush”, tha Vuçiq.

Kryetar i Komisionit Parlamentar për Kosovën, Milovan Drecun, komentoi deklaratën e zyrtarit amerikan, i cili u dërgoi një mesazh përfaqësuesve serbë në institucionet e Prishtinë dhe Beogradit se askush nuk ka të drejtë të vetos në transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Ai ka treguar vazhdimësinë e politikës amerikane”, tha Drecun. /FT/Lajmi.net/