SHBA krijon dy baza me paisje të rënda ushtarake në Poloni

Brenda gjashtëmujorit të parë të 2016-ës pritet të kryhet dislokimi i parë i artilerisë së rëndë amerikane në Poloni, njoftoi sot ministri polak i Mbrojtjes, Tomasz Siemoniak.

Bota

27/08/2015 17:39

Kjo lëvizje do të shënojë të parën herë që Uashingtoni “strehon” pajisjet e rënda ushtarake në një prej anëtarëve më të rinj të NATO-s sa u përket shteteve të Europës Lindore dhe Baltikut, të cilat dikur kanë qenë pjesë e sferës sovjetike të influencës, apo kanë qenë pjesë e ish-Bashkimit Sovjetik.

“Parashikojmë që ky operacion dislokimi të kryhet në mesin e vitit 2016”, deklaroi Siemoniak për agjencinë “PAP”.

“Pas vëzhgimit në terren dhe bisedimeve me partnerët tanë amerikanë kemi identifikuar dy qendra pritëse që do të shërbejnë si bazë për pajisjet e rënda të ushtrisë amerikane, njëra në perëndim të Polonisë dhe një tjetër në veri-lindje të vendit”, saktësoi ministri pa specifikuar vendndodhjen e saktë.