SHBA, kongresistja myslimane kërkon falje për komentet antisemite

Ligjvënësja e re demokrate Ilhan Omar kërkoi falje “pa asnjë mëdyshje” për komentet e bëra më parë rreth ndikimit në Kongres të një organizate amerikane që mbështet Izraelin.

Bota

11/02/2019 23:09

Komentet e zonjës Omar u bënë objekt kritikash nga ligjvënës të të dyja partive si dhe nga Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Demokratja e Minesotës tha se nuk kishte synim të fyente askënd, as amerikanët hebrenj, kur la të kuptohej se anëtarët e Kongresit paguhen nga aleatët e fuqishëm të Izraelit në SHBA për të mbështetur shtetin hebre.

“Duhet të jemi gjithmonë të gatshëm të tërhiqemi dhe t’i peshojmë kritikat, ashtu siç pres që njerëzit të më dëgjojnë kur të tjerët më sulmojnë për identitetin tim”, tha zonja Omar të hënën. “Kjo është arsyeja se përse unë kërkoj falje pa mëdyshje.”

Në komentet e bëra në Twitter gjatë fundjavës, zonja Omar kritikoi Komitetin Amerikano-Izraelit për Marrëdhëniet Publike (AIPAC), duke thënë: “E gjitha kjo ka të bëjë me Benjaminët,” fjalë me të cilën nënkuptonte kartmonedhat 100-dollarëshe që kanë portretin e Benjamin Franklinit.

Përpara kësaj, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi i bëri thirrje zonjës Omar të kërkonte falje. “Ne i dënojmë këto komente,” tha Zonja Pelosi.

Zonja Omar është një prej dy grave të para myslimane të zgjedhura në Kongresin amerikan.

Kryetari demokrat i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë, Eliot Engel, tha se nuk do t’i toleronte këto lloj komentesh dhe shtoi se ishte shumë tronditës fakti që një anëtare Kongresi bënte komente anti-semite. Ai tha se do t’u theksojë anëtarëve të komisionit nga të dyja partitë, se marrëdhënia amerikano-izraelite është e rëndësishme.

Kryetari i Komisionit Juridik, Jerrold Nadler tha se ligjvënësja Omar kishte dështuar në testin e udhëheqjes.

Grupi AIPAC reagoi të dielën pas komenteve të zonjsë Omar: “Jemi krenarë që angazhohemi në procesin demokratik për fuqizimin e marrëdhënies amerikano-izarelite. Përpjekjet tona dy-partiake reflektojnë vlerat dhe interesat amerikane. Nuk do të na frenojë në punën tonë asnjë lloj sulmi i paligjshëm ndaj këtij misioni të rëndësishëm.” /VoA