SHBA kërkon të rinegociohet marrëveshja bërthamore me Iranin

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, tha se shpreson se Irani do të pajtohet për t’i negociuar ndryshimet që i kërkon SHBA-ja në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, pavarësisht kundërshtimeve nga presidenti i Iranit për bisedime të reja.

Bota

21/09/2017 07:39

Në një konferencë për media, pas takimit në Kombet e Bashkuara me palë të tjera të marrëveshjes , Tillerson për herë të dytë veçoi klauzolat e marrëveshjes, të cilat u japin fund kufizimeve të aktiviteteve bërthamore të Iranit – të tilla si pasurimi i uraniumit – në vitin 2025. Këto kufizime janë vënë në këmbim të lehtësimit të sanksioneve kundër Iranit.

Tillerson tha se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do që këto klauzola të rienegociohen.

Por, presidenti i Iranit, Hassan Rohani, kujtoi vështirësitë në arritjen e marrëveshjes komplekse, e cila, përveç SHBA-së dhe Republikës Islamike, ka përfshirë Francën, Gjermaninë, Rusinë, Kinën dhe Britaninë.

“Është një marrëveshje që ka marrë mbi dy vjet negociata mbi çdo fjalë dhe fjali”, tha Rohani për gazetarët në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

“Kemi arritur të pajtohemi për data dhe afate të pranueshme reciprokisht. Prandaj, kjo marrëveshje nuk është diçka që mund ta prekni. Nëse nxirrni një tullë të vetme, e gjithë ndërtesa do të shembet”, tha Rohani.

Shefja për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, po ashtu tha se kundërshton rihapjen e negociatave për marrëveshjen. Ajo tha se marrëveshja “po funksionon” dhe se BE-ja “do të sigurojë që ajo të vazhdojë”.

Rohani tha se kërcënimet e vazhdueshme të administratës Trump për të braktisur marrëveshjen, tregojnë se asaj nuk mund t’i besohet.

Marrëveshja bërthamore është negociuar fillimisht nga ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama.

“Një qeveri amerikane që zgjedh të shkelë angazhimet e saj ligjore ndërkombëtare… Bisedimet me një qeveri të tillë do të ishin humbje kohe”, tha presidenti iranian.

Rohani tha se, në çdo rast, Trump së pari duhet të kërkojë falje për akuzat “jashtëzakonisht ofenduese” dhe “të pabaza” se Teherani është një “diktaturë e korruptuar” dhe “regjim vrasës”.

Trump, qysh përpara se të merrte detyrën e presidentit në muajin janar, ka thënë se marrëveshja bërthamore me Iranin është ujdia më e keqe që ka dëgjuar ndonjëherë.

Në fjalimin e parë para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, të mbajtur të martën, Trump tha se bota duhet t’i kundërvihet Iranit, i cili “minon paqen në të gjithë Lindjen e Mesme”.