SHBA kërkon armëpushim për konfliktin në Siri

Shtetet e Bashkuara kanë prezantuar draft-rezolutën e re në Këshillin e Sigurimit në Kombet e Bashkuara, duke kërkuar 30 ditë armëpushim në Goutan Lindore, enklavë në Siri, që është nën kontrollin e rebelëve. SHBA ka paralajmëruar se nëse Këshilli i Sigurimit dështon të veprojë në Siri, Uashingtoni është i gatshëm të marrë vetë masa.

Bota

12/03/2018 18:24

Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Nikki Haley ka thënë sot se rezoluta për armëpushim e miratuar dy javë më parë nga Këshilli i Sigurimit, “ka dështuar” përderisa qeveria siriane, e mbëshetur nga Rusia, po vazhdon ofenzivën në Goutan Lindore.

Rusia ka thënë se armëpushimi nuk mund të vendoset nga Këshilli i Sigurimit, pa pasur një marrëveshje në mes të palëve të përfshira.

“Ne kemi draftuar një rezolutë të re të armëpushimit që nuk ofron hapësirë për evazion”, ka thënë ambasadorja Haley.

Ajo ka shtuar se siç ka ndodhur vitin e kaluar, kur është bombarduar një bazë ajrore siriane, pas sulmit vdekjeprurës me armë kimike, SHBA prap do të marrë vetë masa, nëse nuk arrihet një marrëveshje për armëpushim.

“Nuk është rruga të cilën ne e duam, por është rrugë që ne e kemi dëshmuar se e marrim dhe jemi të gatshëm ta bëjmë sërish një gjë të tillë”, ka thënë Haley.

“Kur komuniteti ndërkombëtar vazhdimisht dështon të veprojë, ka raste kur shtetet janë të detyruara të ndërmarrin veprimet e tyre”, ka thënë ambasadorja e SHBA-së në OKB, Nikki Haley.