SHBA, infermierja shërohet nga Ebola

Një lajm i mirë për luftën kundër Ebolës është shënuar në Shtetet e Bashkuara, ku një infermiere në Teksas, e infektuar me virusin vdekjeprurës, tashmë është larguar nga spitali.

Bota

29/10/2014 12:01

Zyrtarët në spitalin e Atlanta, ku u trajtua 29-vjeçarja Amber Vinson, kanë njoftuar se analizat e saj kanë treguar se infermierja tanimë nuk është më me Ebolë.

Vinson, ishte infektuar nga përpjekje për të shëruar një pacient tjetër të infektuar nga Ebola, por që përfundoi pa sukses në një nga spitalet e Teksasit, i kishte humbur shpresat për jetë në momentin kur e kishte kuptuar se edhe ajo është infektuar.   

Por pasi doli të martën pasdite nga spitali, ajo u prit krahëhapur nga e emë dhe i fejuari i saj.

Vinson po ashtu mbajti edhe një konferencë për media, duke falënderuar ekipin mjekësor për kontributin që dha në shërimin e saj.

“Por kjo nuk është vetëm dita për të festuar dhe për të shprehur mirënjohjen, por të lutem që Shtetet e Bashkuara dhe shtetet tjera të mos e humbin fokusin ndaj mijëra familjeve që vazhdojnë të mundohen nën barrën e rëndë të Ebolës në Afrikën Perëndimore”, tha Vinson, njofton Fox News, transmeton lajmi.net.

Sipas autoriteteve spitalore, shërimi i infermieres është bërë i mundshëm falë diagnostifikimit të virusit që në fazën fillestare, dhe kujdesit maksimal të treguar për ta mundur Ebolan në trupin e saj.

Rreth 5000 persona kanë vdekur që prej muajit shkurt, ndërsa 10 mijë të tjerë llogaritet të jenë të infektuar në disa shtetet të Afrikës Perëndimore, ndërkohë që vazhdojnë përpjekjet në parandalimin e përhapjes së Ebolës, sikurse edhe përpjekjet në gjetjen e vaksinës që do ta vriste këtë virus vdekjeprurës.