SHBA, flamuri shqiptar në rrugët e Stamford shkakton debat (Foto)

Vendosja e flamurit kombëtar shqiptar në rrugët e Stamford ka shkaktuar një debat. Flamujt u vendosën me rastin e ditës së pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor.

Bota

04/12/2015 21:28

Ky ishte viti i parë që flamuri i Shqipërisë vendosej në rrugë te qytetit me mbi 122 mijë banorë, gjë e cila u mundësua nga filantropisti me orgjinë shqiptare, Ricahrd Lukaj.

Flamujt do të hiqen këtë të shtunë. Kjo pasi një qytetar kërkoi të dinte nëse kishte protokoll për vendosjen e tyre.

Një prej përfaqësuesve të anëtarëve të bordit është shprehur se kështu është vepruar edhe në rastin e Irlandës dhe të Italisë. Por një tjetër kërkoi që flamujt të vendosen vetëm për një ditë.

Presidenti i bordit, Randall Skigen shkruan se vendosja e flamujve të huaj në rrugë është fyese, shqetësuese dhe mund të sjellë pasoja përçarëse. Ai thekson se në rrugët publike duhet të valëvitet vetëm flamur amerikan.

Bizneset në rrugën ku u vendosën flamujt thonë se kalimtarët pyesin shpesh për flamurin pasi nuk e njihin se cilit vend i përket. Por, shumica as që e kanë vënë re atë.

Më 29 nëntor në Stamford u organizua një festë me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë ku morën pjesë rreth 300 persona.

Organizatori i festës, Leslie Asllani thotë se popullsia shqiptare në këtë vend është rritur dekadën e fundit. Ajo thotë se vetëm në Fairfield County ka të paktën 3 mijë banorë shqiptarë./ shqiptarja