SHBA: Është vrarë operativisti i ISIS-it i ndërlidhur me sulmin në Stamboll

Shtetet e Bashkuara thonë se nga një operacion ushtarak amerikan është vrarë operativisti i Shtetit Islamik (IS), që ishte ndihmës i afërt i liderit, Abu Bakr al-Baghdadi, dhe ishte i ndërlidhur me një sulm në një klub të natës në Stamboll, nga i cili ishin vrarë 39 vetë.

Bota

22/04/2017 19:09

Operativisti, Abdurakhmon Uzbeki, që besohej se ishte nga Uzbekistani, është vrarë më 6 prill, gjatë një operacioni tokësor të fshehtë afër qytetit, Majadin në Siri, tha mbrëmë John Thomas, zëdhënës i Komandës Qendrore të ushtrisë amerikane.

Koloneli Thomas tha se Uzbeki kishte ndihmuar në sulmin kundër një klubi ekskluziv të natës në Stamboll, natën e Vitit të Ri.

Grupi ekstremist, Shteti Islamik, e pat marrë përgjegjësinë për këtë sulm, duke thënë se ishte hakmarrje për përfshirjen ushtarake të Turqisë në Siri.

“Ne qartas e kemi ndërlidhur atë me bombardimin në Stamboll, natën e Vitit të Ri”, tha Thomas.