SHBA dënon projektin e Rusisë, Rrjedha Veriore 2

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka dënuar ndërtimin e tubacionit për bartje të gazit natyror, duke thënë se projekti Rrjedha Veriore 2, do t’i mundësojë Rusisë të kontrollojë furnizimet me energji në Evropë.

Bota

12/12/2018 09:06

Masa, që është miratuar më 11 dhjetor nga Dhoma e Ulët e Kongresit, ka qenë vetëm një rezolutë simbolike, megjithatë kjo ka qenë përpjekja e fundit e autoriteteve amerikane për të bllokuar projektin 11 miliardë dollarësh.

Sipas rezolutës, gazsjellësi përbën “një hap drastik mbrapa për sigurinë e energjisë evropiane dhe për interesat e Shteteve të Bashkuara”.

Në këtë shkresë u është bërë thirrje Qeverivee evropiane që të kundërshtojnë projektin, derisa presidentit amerikan, Donald Trump i është kërkuar të përdorë “të gjitha mjetet për të mbështetur sigurinë energjike të Evropës”.

Projekti Rrjedha Veriore 2 do të kalojë nën Detin Baltik, duke bartur gazin rus drejtpërdrejt në Evropën Perëndimore.

Së fundmi Uashingtoni ka rritur përpjekjet për ta bllokuar këtë projekt.

Mirëpo liderët e industrive më të mëdha në Gjermani kanë përkrahur ndërtimin e gazsjellësit, duke thënë se ai do të ndihmojë në zgjerimin e furnizimit me gaz.

Ministri i Jashtëm gjerman ka thënë se Berlini nuk do të tërheqë mbështetjen politike për këtë projekt.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se ky projekt është tërsisht ekonomik dhe nuk është qëndron kundër asnjë shteti.